Lifestyle

Çfarë është sindroma e “folesë bosh” dhe si të mbrohesh prej saj?

Kur fëmijët rriten dhe largohen nga shtëpia ku janë rritur me prindërit, shumë nëna dhe baballarë përballen me një ndjenjë boshllëku dhe trishtimi të thellë. Kjo gjendje njihet si sindroma e folesë bosh, një përvojë emocionale reale që prek shumë prindër dhe jo thjesht një paaftësi për të “lënë fëmijët të lirë”.

Çfarë është kjo sindromë?

Sindroma e folesë bosh përshkruan ndjenjat e trishtimit, vetmisë dhe humbjes që përjetojnë prindërit kur fëmijët e tyre, tashmë të rritur, largohen nga shtëpia për të jetuar më vete. Roli i prindit, i cili për vite të tëra ka qenë në qendër të përditshmërisë, ndryshon papritur. Kështu, boshllëku fizik që lë fëmija në shtëpi, kthehet edhe në një boshllëk emocional brenda prindërve, të cilët përballen me fundin e një kapitulli të jetës.

Edhe pse për disa prindër kjo periudhë mund të përfaqësojë një fillim të ri, me më shumë liri dhe kohë për veten, për shumë të tjerë është një periudhë e vështirë, që mund të shkaktojë ankth dhe trishtim të thellë.

Pse ndodh kjo sindromë

Largimi i fëmijëve nga shtëpia kërkon ristrukturim të rutinës dhe identitetit personal. Prindërit që për vite kanë qenë të përfshirë në mënyrë të plotë në jetën e fëmijëve, papritur nuk dinë si të mbushin ditët. Përveç mungesës fizike, shfaqet edhe ndjenja e humbjes së rolit të tyre si kujdestarë.

Sindroma e folesë bosh mund të çojë në:

Trishtim të vazhdueshëm dhe ankth

Irritueshmëri dhe ndjenja faji

Humbje energjie dhe mungesë motivimi

Vështirësi gjumi dhe lodhje të vazhdueshme

Në rastet më të rënda, mund të shfaqen shenja depresioni, veçanërisht kur prindërit e kalojnë këtë fazë pa mbështetje emocionale.

Si të dallohet dhe të kapërcehet

Hapi i parë është ta pranojmë këtë fazë si diçka normale dhe ta kuptojmë që nuk jemi vetëm. Më pas, është e rëndësishme të rigjejmë veten përtej rolit të prindit.

Disa mënyra për ta përballuar më lehtë:

Kujdesuni për veten. Përdorni kohën e lirë për të ndjekur interesa personale, për t’u marrë me aktivitete që keni lënë pas dore.

Rikrijoni lidhjen me partnerin. Pa fëmijët në shtëpi, ka më shumë hapësirë për të forcuar marrëdhënien në çift ose për të krijuar një të re.

Gjeni qëllime të reja. Mund të jetë kujdesi për nipërit, një kafshë shtëpiake, vullnetarizmi apo një pasion i ri.

Ruani lidhjen me fëmijët. Edhe pse nuk jetoni më bashkë, mund të ndërtoni tradita të reja, takime javore, fundjava bashkë.

Kërkoni ndihmë profesionale. Nëse ndjenjat e trishtimit bëhen të forta, mbështetja e një psikologu mund të ndihmojë shumë.