Lifestyle

“Sindroma e motrës së madhe”, çfarë do të thotë të kesh lindur e para!

“Sindroma e motrës së madhe” është një fenomen psikologjik dhe social që lidhet me vajzat e para të lindura në familje. Nuk bëhet fjalë për një sindromë klinike të njohur zyrtarisht nga komuniteti shkencor, por për një term që përdoret për të përshkruar presionet dhe përgjegjësitë që shpesh u ngarkohen motrave të mëdha.

Duke qenë të parat që lindin, motrat e mëdha shpesh përfundojnë duke marrë një rol përgjegjësie ndaj vëllezërve dhe motrave më të vegjël. Kjo mund të përfshijë detyra praktike, si kujdesi për më të vegjlit, ndihma me detyrat e shkollës apo të qenit model sjelljeje.

“Është e vërtetë që kur psikologët hartojnë genogramin, një teknikë që gjurmon llojet e marrëdhënieve që krijohen në një familje, thuhet se roli familjar dhe pozicioni që zëmë ndikojnë në zhvillimin e një modeli të caktuar tiparesh të sjelljes”, tha për El País psikologia Ana Gómez.

“Ndonjëherë motrat e mëdha detyrohen të shqetësohen për një sërë gjërash që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre. E çuar në ekstrem, kjo bëhet problem kur prindërit nuk e ushtrojnë siç duhet rolin e tyre në familje dhe u kërkojnë atyre funksione të caktuara, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të nënkuptuar”, vijoi specialistja. “Mesazhe si ‘kujdesu për vëllain tënd, mbroje, mos lejo t’i ndodhë gjë’ dhe prirja për ta fajësuar nëse ndodh diçka mund të jenë një barrë shumë e rëndë për t’u mbajtur.”

Megjithëse edhe vëllezërit e mëdhenj mund të shfaqin sjellje tipike të kësaj sindrome, janë vajzat ato që preken më shpesh nga kjo formë “adultizimi” të hershëm.

“Ky fenomen prek kryesisht gratë sepse nxitet nga familja. Rolet e kujdesit u caktohen që në moshë të vogël, si për shembull kur motrës së madhe i jepet përgjegjësia të mbikëqyrë më të vegjlit në park ose të dijë si t’u ndërrojë pelenat. Edhe sot, këto detyra nuk u kërkohen në të njëjtën masë vëllezërve”, shpjegoi María Gijón, eksperte e çështjeve gjinore dhe autore e librit Tregime për të edukuar pa stereotipe, 6 histori për t’u rritur pa kufij.

Megjithatë, kjo situatë po ndryshon ngadalë. “Mendoj se vajzat po mësojnë të vendosin kufij që në moshë të vogël dhe ky është një hap i madh përpara, edhe pse ka ende shumë rrugë për të bërë. Familjet kanë mundësinë të thyejnë stereotipet që në fëmijëri, por kanë nevojë edhe për mbështetjen e shoqërisë”, përfundoi Gijón.