Music

Çfarë ndodhi në muzikë përgjatë vitit 2025?

Një vit më parë, në një artikull lidhur me muzikën dhe ndodhitë e saj në vitin 2024, shtrova një pyetje shume intriguese: a do të jenë në gjendje artistët të përmbushin pritshmëritë tona në 2025-ën apo do t’i tejkalojnë frikshëm? Epo, përgjigjja është e thjeshtë, pasi nuk mund të ishte ndryshe përveçse të ndodhnin ngjarje që i dhanë një formë krejtësisht tjetër konceptit që kemi krijuar mbi muzikën sot.

2025 ishte si një mozaik i gjallë ndryshimesh, rikthimesh dhe momentesh që lanë gjurmë. Ishte një vit ku skena globale dhe ajo shqiptare u kryqëzuan mes nostalgjisë dhe guximit për të eksperimentuar, ku artistë të afirmuar rishpikën veten dhe emra të rinj thyen heshtjen me zë të fortë. Këngë që u kthyen në himne, albume që ndezën debate dhe ngjarje që tronditën industrinë e bënë atë një kapitull të paharrueshëm në historinë e muzikës.

E nisim me “DeBÍ TiRAR MáS FOToS”, albumin konceptual të reperit portorikan Bad Bunny, një manifest kulturor për Puerto Ricon që u kthye në një pikë referimi për gjithë diasporën latine. Ai shërbeu gjithashtu si pikënisje për suksesin global të Bad Bunny-t gjatë vitit, duke i hapur rrugën rezidencës historike “No Me Quiero Ir De Aquí” në San Juan dhe shpalljes si kryesues për Super Bowl 2026. Kjo e fundit u shoqërua me polemika të shumta, pasi jo vetëm që përzgjedhja e tij u festua gjerësisht si një fitore për përfaqësimin kulturor dhe diversitetin, por njëkohësisht shkaktoi kundërshtime të forta nga figura konservatore politike dhe media më tradicionale. Ata argumentuan se një event me një vërtetë aq “amerikan” duhej të kishte një artist që performon në anglisht ose simbolizon më mirë kulturën amerikane tradicionale.

Shkurti i vitit 2025 ishte një muaj historik për industrinë muzikore, falë edicionit të 67-të të çmimeve Grammy. Beyoncé fitoi më në fund Albumin e Vitit me “Cowboy Carter”, duke shënuar një moment të shumëpritur që konsolidoi statusin e saj si një nga ikonat më të mëdha të muzikës së kohës sonë. Kendrick Lamar dominoi ceremoninë duke marrë pesë çmime, përfshirë Këngën e Vitit, Albumin e Vitit Rap dhe Këngën Rap të Vitit, duke shënuar jo vetëm sukses artistik, por edhe një moment simbolik në betejën e tij muzikore me rivalin Drake. Performanca e Lamar gjatë Super Bowl Halftime Show, një kolazh i këngëve të tij më të njohura e shoqëruar me elemente teatrale dhe mesazhe satirike, u interpretua nga publiku dhe kritikët si një fitore kulturore dhe artistike, duke transformuar Grammy-t në një hapësirë jo vetëm për shpërblime, por edhe për deklarata të fuqishme për ndikimin e zhanrit rap.

Nga ana tjetër, disa rikthime ishin vërtet të ëmbla. Justin Bieber u rikthye fuqishëm në 2025 me dy projekte, “Swag” dhe “Swag II”, që përfshinin një kombinim të tingujve pop‑R&B modern, bashkëpunime me artistë si Tems, Bakar dhe Lil B, dhe reflektime personale mbi jetën dhe karrierën e tij. Albumet u pritën shumë mirë nga fansat dhe kritikët, u renditën lart në klasifikime ndërkombëtare dhe e rikthyen Bieber-in sërish në qendër të skenës globale, duke treguar se relevanca dhe efekti i tij në industrinë muzikore mbeten të forta.

Selena Gomez dhe i fejuari i saj, producenti Benny Blanco, risollën vëmendjen e publikut tek ata me albumin e tyre të përbashkët “I Said I Love You First”, një projekt me 14 këngë që eksploron lidhjen dhe emocionet personale të çiftit. Albumi përzien pop, ambient pop, hyperpop dhe elemente indie, me bashkëpunime nga Finneas O’Connell, Gracie Abrams dhe Cashmere Cat, dhe përfshin këngë që flasin për nostalgji, pasiguri dhe dashuri, si “Scared of Loving You” dhe “Younger and Hotter Than Me”. Projekti u prit pozitivisht nga fansat për sinqeritetin dhe intimitetin e tij, ndërsa kritikët e vlerësuan si emocional dhe ndjeshëm, edhe pse jo domosdoshmërisht revolucionar në tingullin muzikor.

Edhe industria muzikore shqiptare nuk mbetet pas në këtë artikull, sepse artistët tanë patën arritje kolosale që shënuan një pozicion të ri për Shqipërinë në peisazhin muzikor botëror. Grupi alternativ Shkodra Elektronike përfaqësoi vendin tonë në Eurovision Song Contest 2025 me këngën “Zjerm”, e cila u rendit në vendin e tetë në finalen e madhe, një sukses që i afrohet arritjes së vitit 2012 kur Rona Nishliu me “Suus” siguroi vendin e pestë, duke mbetur deri më sot si pjesëmarrja më e lartë e Shqipërisë në historinë e ESC. Po ashtu, edhe Yll Limani arriti në një nivel tjetër në muzikë pasi së bashku me Rita Orën, krijuan variantin duet të hitit “All Natural”.

Duhet thënë se viti 2025, më shumë se i të gjithëve, ishte i Lady Gaga-s. Ajo erdhi fuqishëm me albumin “Mayhem”, një koncept me 14 këngë që përzien synth-pop, dance, electro, disco, funk dhe elemente industriale, ku temat e kaosit, dashurisë, famës dhe identitetit trajtohen me një estetikë teatrale dhe moderne. Albumi debutoi në vendin e parë të Billboard 200, kryesoi klasifikimet në dhjetëra vende dhe solli hite globale si “Abracadabra”, “Shadow of a Man” apo “Vanish Into You”. Suksesi u pasua nga turneu botëror The Mayhem Ball, i cili u kthye në një nga turnetë më të mëdha dhe më të suksesshme pop të vitit, me data  të shumta në Amerikë dhe Evropë, kërkesë masive për bileta dhe një shfaqje vizuale spektakolare që ndërthurte materialin e ri me hitet ikonike të karrierës së saj. Me “Mayhem” dhe turneun shoqërues, Lady Gaga riafirmoi statusin e saj si një nga figurat më me ndikim dhe artistikisht të guximshme të muzikës moderne.

Artistet e reja vajza zunë një hapësirë gjithnjë e më të madhe në skenën globale, duke treguar se brezi i ri nuk është më në hije. Addison Rae arriti të shkëputet përfundimisht nga imazhi i rrjeteve sociale, duke u marrë seriozisht si artiste pop me projekte të mirëprodhuara dhe një identitet estetik të qartë. Tate McRae u konsolidua si një nga emrat më të fortë të pop-it modern, me këngë emocionale, performanca energjike dhe sukses të vazhdueshëm në renditjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Lola Young u shqua për qasjen e saj të sinqertë dhe të errët në pop alternativ, duke fituar vëmendje për tekstet e drejtpërdrejta dhe zërin e saj karakteristik. Ndërkohë, një zbulim i këndshë i këtij viti ishte edhe Olivia Dean, e cila u kthye në një nga zërat më të rafinuar të soul-pop britanik, duke përfaqësuar një elegancë të qetë dhe një stil muzikor që po i jep frymë të re industrisë në Mbretërinë e Bashkuar. Së bashku, këto artiste dëshmuan se 2025 nuk ishte vetëm vit i emrave të mëdhenj, por edhe i një vale të re që po formëson të ardhmen e muzikës.

Nëse flasim për peshën e vërtetë në industri, 2025 nuk mund të kuptohet pa Taylor Swift dhe Sabrina Carpenter. Taylor e trajtoi vitin si një skenë të madhe personale me “The Life of a Showgirl”, një album që u shndërrua në ngjarje botërore, duke pushtuar renditjet, thyer rekorde shitjesh dhe qëndruar për javë të tëra në krye të Billboard 200, ndërsa narrativa e tij ambicioze dhe emocionale forcoi edhe më tej lidhjen e saj me publikun. Nga ana tjetër, Sabrina Carpenter pati vitin e saj më vendimtar me “Man’s Best Friend”, një album më i pjekur dhe më i drejtpërdrejtë në tingull dhe tekst, që u prit shumë mirë nga publiku ndonëse u shoqërua me disa polemika, u ngjit shpejt në renditjet ndërkombëtare dhe prodhoi këngë që u kthyen në hite të qëndrueshme. Ky projekt shënoi momentin kur Sabrina la pas imazhin e artistes në tranzicion dhe u pozicionua qartë si një nga zërat kryesorë të pop-it bashkëkohor.

Në retrospektivë, 2025-a nuk ishte një vit i qetë për muzikën, por një pikë kthese. Ngjarjet e tij treguan se industria nuk mund të qëndrojë më neutrale, as e shkëputur nga realiteti shoqëror, politik apo teknologjik. Artistët morën pozicion, publiku u bë më i vetëdijshëm dhe vetë muzika u shndërrua në arenë debati. Një vit që nuk u dëgjua vetëm me veshë, por u përjetua, u diskutua dhe do të vazhdojë të ndikojë rrëfimin muzikor edhe përtej tij.