“Si mund ta vras shokun tim në mes të orës së mësimit?”. Kjo ishte pyetja tronditëse që një nxënës në Shkollën e Mesme Southwestern në Deland, Florida, i bëri ChatGpt-së. Policia amerikane arrestoi me shpejtësi të riun, i cili e mbrojti veten duke e etiketuar gjestin si “shaka”.
Shaka (edhe pse me shije të keqe) apo jo, shkollat dhe universitetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara mbeten vigjilente për të parandaluar incidentet e dhunës ose sulmeve, siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën. Këtë herë, megjithatë, raporti i sjelljes nuk erdhi as nga një shok klase dhe as nga një mësues, por nga një tjetër, Inteligjenca Artificiale.
IA kundrejt IA-së
Mjeti i përdorur për të kapur pyetjen u ofrua nga kompania amerikane Gaggle, e përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve në mjediset shkollore. Ndër shërbimet e ofruara në faqen e saj të internetit është një sistem i aktivitetit online që monitoron “bisedat me mjetet e Inteligjencës Artificiale” për të raportuar çdo “sjellje shqetësuese që lidhet me vetëlëndimin, dhunën ose ngacmimin”.
Pasi identifikohet sjellja e konsideruar e rrezikshme, raporti i dërgohet administratës së shkollës, që më pas mund të kontaktojë autoritetet.
Shqetësime dhe kritika:
Gaggle është një program kompjuterik i përdorur gjerësisht në Shtetet e Bashkuara: ai monitoron aktivitetet e gati 6 milion nxënësve në 1,500 distrikte shkollore. Megjithatë, kjo nuk e përjashton atë nga kritikat në lidhje me efektivitetin dhe mbi të gjitha, etikën e përdorimit të tij.
Shumë e shohin zgjidhjen e kompanisë si një mjet mbikëqyrjeje masive që mund të rrezikojë privatësinë e qytetarëve nëse përdoret në mënyrë të papërshtatshme. Një çështje tjetër ka të bëjë me numrin e alarmeve të rreme që mjeti shpesh dërgon.
Sipas Associated Press, nga 1,200 rastet e raportuara te Gaggle në distriktin shkollor Lawrence, Kansas, gjatë 10 muajve, afërsisht dy të tretat e raporteve u konsideruan të parëndësishme nga zyrtarët e shkollës.