Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka vendosur ta nisë muajin korrik duke i dhënë vëmendje një prej veprave më të vlerësuara të letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Këngëtarja ka përzgjedhur librin “Të lirë” (“Free”) të autores Lea Ypi si rekomandimin e muajit në klubin e saj të librit, Service95.
Përmes platformës së saj kulturore, Dua ftoi lexuesit të njihen me historinë personale të Lea Ypit, e cila rrëfen fëmijërinë e saj në Shqipërinë e izoluar gjatë regjimit komunist dhe ndryshimet dramatike që solli rënia e sistemit.
Në prezantimin e librit, Service95 ndalet te mënyra unike me të cilën autorja e tregon historinë përmes syve të një fëmije.
Lea përshkruan një vend stalinist aq të izoluar politikisht, saqë kishte prishur marrëdhëniet jo vetëm me Perëndimin, por edhe me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Këndvështrimi i një fëmije e bën këtë realitet të çuditshëm të duket krejtësisht normal
-thuhet në prezantim.
Një nga episodet më domethënëse të librit është ai i një kanaçeje Coca-Cola, e cila në Shqipërinë e asaj kohe shndërrohet në simbol të luksit dhe statusit.
Një kapitull i tërë i librit i kushtohet një kanaçeje Coca-Cola. Në Shqipërinë e Leas, një kanaçe bosh Coca-Cola ishte një simbol statusi; diçka që njerëzit e dëshironin dhe e lakmonin. Nëna e saj kursen para për të blerë një të tillë. Ajo humbet. Mes fqinjëve shpërthen një konflikt. Në kohën kur gjithçka zgjidhet, të gjithë tashmë kanë kaluar te Fanta
-shkruan Service95.
Megjithatë, sipas platformës së Dua Lipës, “Të lirë” nuk është vetëm një histori për jetën nën komunizëm, por edhe një reflektim mbi kuptimin e lirisë dhe çmimin që ajo mund të ketë.
Por, përtej absurditetit, ‘Të lirë’ tregon se çfarë ndodh kur liria mbërrin dhe rezulton shumë më e ndërlikuar nga sa e kishte imagjinuar kushdo. Fabrikat mbyllen, vendet e punës zhduken, familjet ndahen dhe shpërthen lufta civile. Kur përballesh me kaq shumë kuptime dhe versione të ndryshme të lirisë, Lea nis t’i bëjë vetes pyetjen: Çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh i lirë?
-vijon përshkrimi.
Lea Ypi është një nga autoret shqiptare më të njohura në botë dhe libri “Të lirë” është përkthyer në dhjetëra gjuhë, duke marrë vlerësime të shumta nga kritika ndërkombëtare për mënyrën intime dhe të sinqertë me të cilën trajton jetën në Shqipërinë komuniste dhe tranzicionin e vështirë drejt demokracisë.
Service95, platforma kulturore e themeluar nga Dua Lipa, publikon çdo muaj një përzgjedhje librash dhe rekomandimesh, me synimin për të promovuar autorë dhe histori që nxisin reflektim mbi tema sociale, kulturore dhe njerëzore. Përzgjedhja e “Të lirë” e vendos edhe një herë letërsinë shqiptare në qendër të vëmendjes së lexuesve ndërkombëtarë.