Dhimbja e shpinës është një nga shqetësimet më të zakonshme në mesin e popullatës dhe mund të prekë çdo pjesë të shtyllës kurrizore, ndonëse shpesh lokalizohet në pjesën e poshtme.
Sipas ekspertëve shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar, pozicioni më i mirë për të fjetur kur përjetoni dhimbje shpine është shtrirja në shpinë. Ky pozicion e mban shtyllën kurrizore në vijë të drejtë dhe ndihmon në shpërndarjen e peshës së trupit në mënyrë të barabartë, duke shmangur tensionin në zona të caktuara të shpinës.
Fjetja në shpinë me jastëk nën gjunjë – ja si ndihmon:
-Lehtëson presionin në pjesën e poshtme të shpinës;
-Mbështet lakimin natyral të shtyllës kurrizore;
-Siguron relaksim të muskujve gjatë natës.
Si të pozicionoheni saktë:
-Shtrihuni në shpinë;
-Vendosni një jastëk të sheshtë nën gjunjë për të ruajtur lakimin e duhur të mesit;
-Nëse ndjeni boshllëk poshtë belit, mund të vendosni një rrotull të hollë ose një peshqir të mbështjellë për mbështetje shtesë.
Në të kundërt, pozicioni më i keqe për të fjetur është në bark, pasi kjo krijon presion të madh në qafë dhe pjesën e poshtme të shpinës.
Ky pozicion mund të përkeqësojë dhimbjen duke e rrotulluar qafën dhe duke ushtruar stres në zonat më të ndjeshme të trupit. Nëse nuk mund të flini ndryshe, ekspertët sugjerojnë të vendosni një jastëk të hollë nën bark për të ulur tensionin në mes.
Këshilla shtesë për një gjumë të qetë dhe pa dhimbje:
-Zgjidhni një dyshek të fortë ose ortopedik që mbështet shtyllën kurrizore;
-Përdorni jastëk me lartësi të përshtatshme – as shumë të lartë, as shumë të ulët;
-Ndiqni një rutinë relaksuese para gjumit, si shtrirje të lehta ose një banjë e ngrohtë.
Nëse dhimbja vazhdon përtej disa javëve, rekomandohet konsultimi me një mjek për të përcaktuar shkakun dhe trajtimin e duhur.