Farouk James lindi në Mbretërinë e Bashkuar dhe në moshën 4 vjeç u bë i famshëm, duke u kthyer në model për marka të ndryshme, falë flokëve të tij shumë të trashë dhe të gjatë. Nëna e tij, me origjinë angleze dhe babai i tij me rrënjë nga Gana (Afrika) refuzuan t’ia prisnin flokët, duke parë se kjo ishte diçka që e bënte të veçantë.
Sot, Farouk James është 13 vjeç dhe ende refuzon t’i presë dhe prindërit e tij e respektojnë zgjedhjen e tij. Më parë, për të shkuar në një shkollë shtetërore, një nga kushtet ishte që djali duhej të priste shkurt flokët. Peticioni që bëri nëna e tij që djali të pranohej kështu nuk ndihmoi. Kështu, ajo vendosi ta regjistronte në një shkollë private. Atje, i kërkuan vetëm Farouk-ut t’i lidhte flokët me bishtaleca ose t’i mbulonte. Farouk James ka mbledhur një komunitet mbresëlënës fansash rreth tij. Vetëm në Instagram, ai ka mbi 250,000 ndjekës.