Aktualitet Food & Drink

Çmimet e larta në supermarket, “mos blini parmixhano, por djathë të bardhë”!

Çmimet më të larta të produkteve në supermarketet shqiptare krahasuar me të njëjtat linja tregtimi jashtë vendit, shpesh janë bërë objekt diskutimi, lidhur me funksionimin e tregut të shitjeve me pakicë në Shqipëri.

Duke folur për këtë çështje, i pyetur nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i Komisionit të Konkurrencës, Denar Biba, tha se institucioni i tij nuk mund të bëjë shumë për këtë fenomen, duke sjellë në vëmendje konceptin e zëvendësueshmërisë së produktit.

Një nga fjalët kyçe në të drejtën e konkurrencës është zëvendësueshmëria. Shoh që disa prej supermarketeve edhe me emër të madh, degë të mëmave të tyre jashtë, kanë çmime më të larta në Shqipëri se kompanitë mëma jashtë. Këtu vijmë te një moment që është profesional.

Dikush mund të thotë se djathi parmixhano është shumë këtu në x supermarket, sesa po të shkojmë te i vetmi supermarket në Bari apo Ankona. Përgjigja që i jep e drejta e konkurrencës në këto raste është: mos bli djathë parmixhano, bli djathë të bardhë. Mund të jetë e ashpër si përgjigje, por kështu është koncepti i zëvendësueshmërisë, sepse kur themi djathë, nuk nënkuptojmë gjëra tepër specifike.

Sipas analizave të ekspertëve, çmimet përgjithësisht më të larta të produkteve ushqimore në tregun me pakicë në Shqipëri mund të lidhen me një sërë faktorësh, duke filluar nga mungesa e një industrie të zhvilluar ushqimore në vend apo madhësia e vogël e tregut, që nuk lejon shfrytëzimin efikas të ekonomive të shkallës. Ndërkohë, zhvillimet e viteve të fundit, si rritja e pagave apo rritja e çmimeve të qirave të supermarketeve, logjistikës etj, kanë shtuar kostot.

Megjithatë, Biba u shpreh se Autoriteti i Konkurrencës i ka në vëmendje tregjet ushqimore dhe bëri të ditur se ky institucion është në fazën e hetimit të tregjeve të kafesë dhe të sheqerit.

Ndërkohë, vitin e kaluar ky institucion realizoi një hetim të thelluar në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.

Në përfundim të hetimit, Autoriteti gjobiti gjashtë ndërmarrje të tregut të grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve, për sjellje të bashkërenduar në përcaktimin e çmimeve të këtyre produkteve. Ndërmarrjet në fjalë u gjobitën në masën e 0.15% të xhiros së vitit paraardhës./ Monitor