Aktualitet Sociale

Çmimet e ushqimeve të importuara u ulën me 7% më 2024-ën, nuk u reflektuan!

Një kilogram ushqim i importuar vitin e kaluar ka kushtuar 7% më lirë se më 2023-shin, sipas të dhënave zyrtare nga tregtia e jashtme (INSTAT). Vitin e kaluar, nga jashtë u importuan rreth 1,3 milion kilogram ushqim me vlerë 156 miliardë lekë. Një kilogram nga grupi “Ushqim, pije, duhan” kushtoi 120.8 lekë në vitin 2024 nga 129.8 lekë më 2023-shin, me një rënie rreth 7%. Në raport me vitin 2022, çmimi i një kilogrami ushqim dhe pije ra mesatarisht me 17%.

Në anën tjetër, në vitin 2024 inflacioni i grupit ushqim, pije, duhan shënoi rritje me 2.7%. Importet janë përbërësi kryesor i inflacionit, pasi Shqipëria e ka të bazuar konsumin në import. Ushqimet e importuara ishte 2.7 herë më të larta se eksportet në vitin 2024.

Rënia e çmimeve të importit në grupet ushqimore vitin e kaluar u favorizua nga dy faktorë themelorë. I pari është kursi i këmbimit. Forcimi i lekut ndaj euros i ka bërë importet më të lira, duke rritur fitimet e importuesve.

Së dyti çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare kanë vijuar uljen edhe vitin e kaluar, pas krizës që pësuan me nisjen e luftës në Ukrainë.

Por, tregu vendas me pakicë nuk po tregohet elastik ndaj ndryshimeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, duke mos-përcjellë uljen e çmimeve dhe fitimet nga kursi i këmbimit. Importuesit dhe distributorët e ushqimeve kanë pohuar, se po përballen me rritjen e kostove të brendshme për shkak të mungesës së fuqisë punëtore që i ka detyruar të rrisin pagat.

Një importues në kushtet e konfidencialitetit tha se nga momenti i porosive e deri te pagesat e mallrave, pati rritje të të ardhurave, me mbi 5-6%, nga nënçmimi i euros. Por, ndërkohë Shqipëria përballet me çmime të larta, sidomos në produktet ushqimore, pavarësisht se ndryshe nga Rajoni është favorizuar në zhvillimet e kursit të këmbimit.

Nga 141 qytete europiane, Tirana u rendit në vendin e 92-të për kostot e larta të jetesës, sipas indeksit të publikuar në këtë fillimvit nga “Numbeo”, një databazë globale që mat kostot e jetesës kudo në botë. Indeksi i Kostove të Jetesës llogaritet si përqindje e kostos së Nju Jorkut.

Kostoja e lartë e jetesës në Tiranë, më së shumti ndikohet nga çmimet e produkteve ushqimore. Sipas “Numbeo”-s, më 2025-ën, Indeksi i Çmimeve të produkteve ushqimore shënoi 42.5%, çka do të thotë se një banor i Tiranës shpenzon në muaj sa 42.5% e një banori në Nju Jork.

Kostoja e ushqimeve ka një peshë të lartë në koston e jetesës në Tiranë, pasi ndryshe nga vendet e tjera të Europës, shqiptarët çojnë më shumë se 43% të të ardhurave mujore për blerjen e ushqimeve. Teksa Shqipëria ka rrogat më të ulëta në Rajon, mesatarisht (30% më të ulëta) me të dhëna zyrtare, nga ana tjetër ka çmime më të larta të produkteve ushqimore.

Në anën tjetër, Shqipëria ka më të lirë indeksin e qirasë. Shpenzimet e një banori në Tiranë janë sa 13.6% e një qytetari në Nju Jork./Monitor