Health & Beauty

Çrregullimi Obsesiv-Kompulsiv mund të ndikohet nga bakteret e zorrëve!

Një studim i ri sugjeron që Çrregullimi Obsesiv-Kompulsiv (OCD) mund të ndikohet nga bakteret e zorrëve. Sipas “ScienceAlert”, studiuesit në Kinë kanë gjetur prova bindëse se mikrobiota e zorrëve, bashkësia e baktereve që jetojnë në sistemin tonë tretës, mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e OCD-së.

Studimi identifikoi gjashtë lloje të baktereve të zorrëve që duket se janë të lidhura me simptomat e OCD-së të tilla si larja kompulsive e duarve dhe mendimet ndërhyrëse. Kjo shënon herën e parë që shkencëtarët lidhin drejtpërdrejt modele specifike mikrobike me çrregullimin.

Ndërsa hulumtimet e mëparshme kanë eksploruar boshtin zorrë-tru, ky studim shkon më tej duke sugjeruar se çekuilibrat mikrobikë mund të jenë një shkak rrënjësor e jo vetëm një faktor kontribues.

Studiuesit vunë re se individët me “Çrregullim Obsesiv-Kompulsiv” kishin profile të dallueshme bakteriale krahasuar me personat në gjendje normale duke treguar një rrugë të mundshme biologjike që fillon në zorrë e që ndikon në funksionin e trurit përmes sinjalizimit imunitar dhe nervor.

Ndërsa nevojiten më shumë kërkime për të konfirmuar shkakun dhe për të zhvilluar zbatime klinike, ky zbulim ofron mundësinë për të kuptuar e trajtuar “Çrregullimin Obsesiv-Kompulsiv” përtej modeleve tradicionale psikiatrike.

Çrregullimi Obsesiv-Kompulsiv është një çrregullim psikologjik, në të cilin një person ka obsesione ose ndjen nevojen t’i mbarojë apo përsërisë disa rutina e aktivitete, ndryshe kompulsionet, në atë masë sa që shkakton stres ose dëmton funksionimin e jetës së përditshme.

Kompulsionet e shpeshta janë larja e duarve, numërimi i sendeve dhe kontrolli nëse dyert janë të mbyllura. Këto aktivitete ndodhin në atë masë sa jeta e përditshme e personit ndikohet negativisht. Gjendja në fjalë shoqërohet nga tike nervoze, çrregullime ankthi e një rrezik i shtuar i vetëvrasjes.