Marrëdhëniet familjare të Beckham-ëve janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë për shkak të një reagimi të papritur nga Cruz Beckham.
Djali i vogël i David dhe Victoria Beckham ka pëlqyer në Instagram një video që tall vallëzimin e nënës së tij në dasmën e Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz Beckham, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për tensione brenda familjes së famshme.
Videoja, e realizuar nga komediani Olly Hume, paraqet një DJ që njofton me ironi “këngën e kërkuar nga nëna e dhëndrit për vallëzimin e tij të parë”, përpara se të luajë hitin provokues Pony të Ginuwine.
Pëlqimi i Cruz-it nuk kaloi pa u vënë re nga ndjekësit, të cilët menjëherë nisën spekulimet mbi pozicionimin e tij në konfliktin familjar.
Brooklyn Beckham ka folur më herët për këtë moment delikat, duke treguar se vallëzimi i parë me Nicola-n ishte planifikuar paraprakisht, por sipas tij, Victoria “e mori në dorë” situatën, duke e bërë atë të ndihej i poshtëruar përpara rreth 500 të ftuarve.
Ai e ka cilësuar sjelljen si të papërshtatshme dhe ka pranuar se ky episod la gjurmë të forta emocionale.
Sipas Brooklyn-it, kjo ishte një nga arsyet që ai dhe Nicola vendosën të rinovonin betimet martesore në gusht 2025, për të krijuar kujtime të reja dhe për të lënë pas atë që ai e përjetoi si një moment të dhimbshëm.
Reagimi i Cruz Beckham shihet nga fansat si një sinjal i qartë se edhe ai është i vetëdijshëm për konfliktet që kanë dalë publikisht dhe se përçarjet brenda familjes Beckham po bëhen gjithnjë e më të dukshme, edhe për brezin më të ri të saj.