Një klip emocional nga dokumentari i Netflix “BECKHAM” është rikthyer në vëmendje këto ditë, pikërisht në momentin kur familja Beckham po përballet me një krizë të fortë publike pas deklaratave tronditëse të djalit të tyre të madh, Brooklyn Beckham.
Në pamjet e dokumentarit të vitit 2023, David Beckham shfaqet dukshëm i përlotur teksa flet me krenari për fëmijët e tij.
Mund të jenë ndonjëherë të vështirë, por nuk janë të tillë… dhe pikërisht për këtë jam kaq krenar për fëmijët e mi
-shprehet ai para kamerave, në një moment që sot merr një domethënie krejt tjetër.
Këto pamje bien në kontrast të fortë me deklaratën e gjatë që Brooklyn, 26 vjeç, publikoi këtë javë në Instagram.
Në një mesazh prej gjashtë faqesh, ai akuzoi prindërit David dhe Victoria Beckham se kanë kontrolluar narrativën e familjes dhe se kanë tentuar, sipas tij, të dëmtojnë marrëdhënien e tij me bashkëshorten Nicola Peltz që para martesës.
Për herë të parë në jetën time po mbroj veten
-shkroi Brooklyn, duke theksuar se nuk ka dëshirë për pajtim me familjen dhe se largimi prej tyre i ka sjellë paqe dhe lehtësim emocional pas vitesh ankthi.
Ai shtoi gjithashtu se ideja se Nicola e kontrollon atë është “krejtësisht e kundërt me të vërtetën”, duke deklaruar se ndjehej i kontrolluar nga prindërit për pjesën më të madhe të jetës së tij dhe se vetëm tani ka gjetur qetësi.
Në dokumentar, përveç rrëfimit emocional të David Beckham, shfaqet edhe një skenë ku ai gatuan së bashku me Brooklyn, një moment familjar që sot duket i largët, në dritën e përçarjes aktuale.
Victoria Beckham ende nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së djalit, por burime pranë familjes bëjnë me dije se ajo është “thellësisht e shkatërruar” nga përkeqësimi i marrëdhënies me Brooklyn.
Brooklyn dhe Nicola kanë munguar në disa nga ngjarjet më të rëndësishme familjare muajt e fundit, përfshirë 50-vjetorin e David Beckham dhe ceremoninë e titullit “Sir”, duke thelluar më tej spekulimet për një ndarje të thellë brenda familjes.
Ndërkohë, David Beckham është përballur me pyetje nga media gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, por ka refuzuar të komentojë drejtpërdrejt konfliktin me djalin. Ironikisht, ai foli për ndikimin e rrjeteve sociale tek fëmijët, duke theksuar se ka tentuar gjithmonë t’i edukojë ata për anën e mirë dhe të keqe të tyre.
Fëmijët bëjnë gabime. Kjo është mënyra se si mësojnë
-u shpreh Beckham.
Rikthimi i videos së tij prekëse ka nxitur reagime të shumta në rrjet, me publikun të ndarë mes mbështetjes për Brooklyn dhe empatisë për prindërit, duke e kthyer përplasjen e familjes Beckham në një nga dramat më të komentuara të momentit në showbiz-in ndërkombëtar.