Botë e Çuditshme Lifestyle

Dalje në treg e një kukulle shtatzënë shkakton reagime të forta në rrjet!

Dalja në treg e një kukulle me bark shtatzënie ka shkaktuar reagime të forta në rrjet. Barku i kukullës hiqet dhe ka një fetus të vendosur brenda qeses amniotike. Kukulla “Mini Mom & Baby Surprise” e kompanisë Zuru Toys shitet në Mbretërinë e Bashkuar për rreth 23,60 euro.

Përshkrimi i lodrës në faqen e internetit të Smyths thotë: “Zbuloni gëzimin e ardhjes së një foshnje të re me kukullën tuaj shtatzënë. E krijuar për lojë krijuese dhe koleksionim, këto sete të vogla frymëzojnë lojëra me role që zhvillojnë kujdesin dhe aftësinë për të treguar histori”. “Daily Mail” shkruan se, edhe pse shumë prindër e kanë mirëpritur produktin e ri si një mjet të vlefshëm edukativ, të tjerë janë shprehur të habitur dhe të pasigurt për të.

Një video që tregon mënyrën se si funksionon kukulla ka grumbulluar tashmë më shumë se 7 milionë shikime dhe mbi 7.000 komente në faqen zyrtare të Smyths Toys në “Instagram”, në më pak se 24 orë. “Pjesa e shtatzënisë është disi e lezetshme, por pjesa pas lindjes a është projektuar me siguri nga një burrë? Apo ka vërtet ndonjë grua që e ka përjetuar kështu? Po pyes për një shoqe”, shkroi një komentuese.

Një tjetër bëri shaka duke shkruar: “Sikur foshnja të dilte vërtet kështu dhe ne të mbeteshim me një bark të sheshtë menjëherë pas lindjes”, ndërsa një i tretë komentoi: “U rikthye menjëherë në formë. A mund të na tregojë programin e saj të stërvitjes?”. “Si mund të jetë kjo e përshtatshme për një fëmijë?”, pyeti një komentues, ndërsa një tjetër shtoi: “Nuk jam i sigurt nëse pajtohem me këtë”.

Megjithatë, pati edhe shumë komente pozitive. Një prind shkroi: “Vajza ime do ta adhuronte. Ajo është shumë e interesuar për foshnjat në barkun e nënës dhe kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të mësuar anatominë”. Kompania Zuru thekson se synimi i saj është të “ripërcaktojë kuptimin e lojës”, ndërsa kukulla e re është e destinuar për fëmijë mbi moshën tre vjeç. Përveç kukullës dhe foshnjës, çdo paketim përfshin edhe një batanije të vogël, një përparëse për foshnjën dhe aksesorë të tjerë. “Si një nënë që kam lindur me prerje cezariane, kjo është fantastike. Mund t’u tregoj fëmijëve të mi të vegjël se si erdhën në jetë. Është një pjesë normale e jetës. Të gjithë po shqetësoheni për diçka që është kaq edukative dhe realiste”, shkroi një komentuese në “Instagram”, ndërsa një tjetër pyeti: “Pse njerëzit po shokohen nga kjo kukull? Është një mënyrë e mirë për t’ua shpjeguar fëmijëve shtatzëninë, dhe shtatzënia është diçka krejtësisht normale”.