Legjenda e futbollit anglez, David Beckham, ka marrë një nga nderimet më të larta në Mbretërinë e Bashkuar, pasi është shpallur zyrtarisht kalorës nga Mbreti Charles.
Ish-ylli i Manchester United tashmë mban titullin prestigjioz Sir David Beckham, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në sport dhe përfaqësimin e denjë të Britanisë.
Duke u rritur në Londrën Lindore, me prindër dhe gjyshër kaq patriotë e krenarë që ishin britanikë, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të arrija të merrja një nderim kaq të madh
-u shpreh Beckham pas marrjes së titullit.
Beckham është personi i 29-të nga bota e futbollit që nderohet me titullin “Sir”, duke iu bashkuar një liste të shquar që përfshin emra legjendarë si Alex Ferguson, Bobby Charlton, Stanley Matthews, Alf Ramsey, Kenny Dalglish dhe Bobby Robson.
Ky nderim i ri e forcon edhe më tej trashëgiminë e David Beckham si një nga figurat më të dashura dhe më me ndikim në historinë e futbollit anglez.