Tensionet në familjen Beckham po përshkallëzohen edhe më tej, pasi David dhe Victoria Beckham thuhet se kanë humbur çdo shpresë për të rregulluar marrëdhënien e tyre të tensionuar me nusen, Nicola Peltz.
Sipas një raporti të Evening Standard, çifti i famshëm tani po përqendrohet vetëm te djali i tyre Brooklyn, me shpresën se afrimi me të do të mund të zbusë distancën që është krijuar.
Por burime pranë çiftit paralajmërojnë se kjo strategji mund të rezultojë e gabuar.
Nëse përpiqesh të afrohesh vetëm me Brooklyn dhe të lësh jashtë Nicola-n, rrezikon ta shtysh çiftin edhe më larg
-tha burimi, duke nënvizuar se marrëdhënia mes Brooklyn dhe Nicolas është më e fortë se kurrë.
Nicola, sipas burimeve, është ndier thellësisht e lënduar nga ngjarjet e viteve të fundit.
Nuk mund të pretendosh se është koha për pajtim pa kërkuar falje ose pa ndryshuar sjellje
-shtoi burimi, duke nënkuptuar se familja Beckham duhet të ndërmarrë hapa konkretë nëse dëshiron ribashkim të vërtetë.
Përçarja thuhet se nisi në vitin 2022, para dasmës së çiftit të ri, kur Nicola zgjodhi një fustan Valentino në vend të një krijimi të Victoria Beckham, një vendim që mendohet se ka ndezur konfliktin e parë. Situata u përkeqësua kur Brooklyn mungoi në festën e 50-vjetorit të babait të tij, ndërsa ai dhe Nicola nuk ndjekin më në rrjetet sociale vëllezërit e tij, Romeo dhe Cruz, pasi këta të fundit dyshohet se i kanë bllokuar.
Kriza arriti kulmin verën e kaluar, kur David dhe Victoria Beckham nuk u ftuan në ceremoninë e rinovimit të zotimeve të martesës së Brooklyn dhe Nicolas, të zhvilluar në pronën e familjes Peltz. Madje, sipas raportimeve, ata e mësuan lajmin vetëm përmes mediave.
Nëse do të ketë pajtim apo ndarje të plotë familjare, mbetet ende për t’u parë, por një gjë është e sigurt: drama Beckham-Peltz sapo është rindezur.