Kreu i PD-së, Sali Berisha e konsideroi sot dekorimin e Bardhyl Agasit një poshtërim të rëndë dhe fyerje për çdo socialist të ndershëm.
Sipas Berishës ky akt është një paralajmërim i fortë për Prokurorinë, që mos hetojë pasuritë e Bardhyl dhe Ergys Agasi.
“Në fakt, nuk dihet nëse Bardhyl Agasi ka përfituar nga pronat dhe pasuritë e vjedhura prej Ergysit, apo nëse ka hapur ndonjë shishe 36 mijë euro Romanée-Conti si Rama me të birin.
Por, deri më sot, ai nuk ka thënë asnjë fjalë. Nuk ka kërkuar kurrë falje që rriti një nga monstrat më të mëdhenj të krimit dhe as nuk ka dënuar krimet e të birit.
Prandaj, dekorimi i tij është një fyerje dhe poshtërim i rëndë. Është fyerje për çdo socialist të ndershëm që sheh se dekoratat e qeverisë shkojnë për familjet mafioze, dhe njësoj është fyerje për qytetarinë durrsake e për çdo shqiptar.
Këtë kreu i meduzës së krimit, Edi Rama, e di shume mirë. Ai e di gjithashtu se kjo dekoratë do të përbënte lajm botëror. Sipas kodit të mafies, ky dekorim u thotë qytetarëve të Durrësit se elitë bëhesh vetëm kur je mafioz, duke u dhënë mesazhin: ‘Mos guxoni të përçmoni Agasët, sepse ata janë paria e qytetit’.
Ky është gjithashtu një paralajmërim i fortë dhe serioz për prokurorinë: ‘Mos guxoni të hetoni apo të kërkoni pasuritë e krimit të Agasit Junior te Agasi Babë (fisniku mafioz i PS-së), sepse do të ndëshkoheni rëndë’.
Pavarësisht këtij turpi, Edi Rama e ndërmori këtë akt sepse ai dhe familja e tij janë pengje të krimeve të veta, të faktuara dhe të dokumentuara mirë në arkivin e Gysit. Rama beson gabimisht se duke e ngjitur më lart në shtyllën e turpit Agasin Babë, do të arrijë t’i mbyllë gojën Agasit Junior”, përfundon Berisha.