Aktualitet

Dëmet e shkaktuara nga zjarret, ministri Vengu tregon si do të bëhet kompensimi i banesave, bizneseve dhe kulturave bujqësore

Vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret do të realizohet në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të veçantë, e cila nis me evidentimin e tyre nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve, i ngritur me urdhër të kryetarit të Bashkisë.

Këtë e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në një reagim në rrjetet sociale, ndërsa më herët u lajmërua edhe nga kryeministri Edi Rama.

“Ky grup realizon inventarizimin e dëmeve në banesa infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike, objekte social-kulturore dhe plotëson formularët me kostot financiare. Më pas, bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës dhe pas vlerësimit financiar çdo bashki përcaktohen koston e kompensimit, i cili kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile”, shkruan Vengu.

Rikujtojmë gjithashtu se kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për zjarret masive që prekën vendin tonë ditët e fundit. Zjarrfikësit, ushtarët dhe policët ndodhen në terren prej ditësh për të shuar flakët dhe evakuuar banorët.

Kreu i qeverisë, ndërsa i quan kriminelë autorët e zjarrvënieve, thekson se ata duhet të marrin dënimin maksimal për dëmin që kanë shkaktuar.

Policia e Shtetit ditë natë në këmbë për identifikim dhe kapjen e zjarrvënësve, në një sezon me një rritje të numrit të tyre po edhe me numrin më të madh të kapur nga forcat e rendit

Gjatë muajve qershor – korrik dhe deri më 14 gusht:

137 autorë të zjarrvënieve të identifikuar
46 të arrestuar
91 të proceduar penalisht

Forcat Kombëtare të Sigurisë, “Shqiponja”, patrullat e përgjithshme dhe forcat operacionale, nën drejtimin e drejtorive vendore dhe Drejtorisë së Përgjithshme, do të vijojnë në terren dhe me ndihmën e teknologjisë do të mundësojnë dorëzimin para drejtësisë të këtyre kriminelëve që meritojnë ndëshkime maksimale”, shkruan Rama.