Rajoni

Dënim i formës së prerë ndaj Milorad Dodikut për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë!

Milorad Dodik, president i Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, sot u dënua me vendim të formës për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, siç u mësua nga Radio Evropa e Lirë. Trupi gjykues konfirmoi vendimin e shkallës së parë të 26 shkurtit, me 1 vit burg dhe ndalim 6 vjeçar për ushtrimin e funksioneve politike. Në këtë konkluzion doli një trupë gjykues prej tre anëtarësh, e përbërë nga Amela Huskiç, Vesna Jesenkoviç e Hilmo Vuçiniç.

Siç u bë e ditur nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës, ky vendim iu dërgua palëve më 1 gusht dhe kundër tij nuk lejohet ankesë. Avokati i Dodikut, Goran Bubiç, bëri të ditur se nuk do të ndalen këtu e do të dorëzohet një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, me qëllim që të tentohet kontestimi.

Do të kërkojmë edhe një masë të përkohshme për të pezulluar zbatimin, deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, u shpreh Bubiç në një konferencë për media sot në Banjalukë, duke shtuar se këto janë hapa të nevojshëm për të vijuar me ankesën në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kundër vendimit të Shkallës së Parë të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës patën bërë ankesë si ekipi juridik i Dodik-ut, ashtu edhe Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës. Organi i akuzës kërkoi ashpërsimin e dënimit me burg, si dhe zgjatjen e ndalimit për ushtrimin e funksioneve, ndërsa mbrojtja pret anulimin e asaj që u vendos.

Dodik është shpallur fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që më herët ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Me këto ligje, organet legjislative të Republikës Sërpska kishin tentuar të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës e të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e këtij entiteti. I pandehuri i dytë në proces, Milosh Lukiç, ushtrues detyre i kreut të Gazetës Zyrtare të RS-së, i cili kishte publikuar ligjet kontestuese, u shpall i pafajshëm në shkallën e parë.

Menjëherë pas vendimit të shkurtit, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi një sërë ligjesh lidhur me heqjen e kompetencave të institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe sigurisë në territorin e RS-së, ndërsa ndaj Dodikut, Gjykata e Bosnjës shpalli një urdhër-arrest në mes të marsit, nën dyshimin për sulm ndaj rendit kushtetues.

Për të njëjtat dyshime, u lëshua urdhërarrest edhe për Radovan Vishkoviçin e Nenad Stevandiçin, përkatësisht kryeministrin e Republikës Sërpska dhe kryetarin e Parlamentit. Edhe pse të gjitha agjencitë policore në vend duhet t’i arrestojnë e t’i dorëzojnë pranë organeve shtetërore të drejtësisë, një gjë e tillë nuk ndodhi në muajt që pasuan.