Aktorja e njohur amerikane Denise Richards dhe ish-bashkëshorti i saj, Aaron Phypers, janë përballur me një goditje serioze ligjore, pasi një gjykatë në Kaliforni ka urdhëruar dëbimin e tyre nga shtëpia luksoze me qira në Calabasas. Shkak është bërë mospagimi i një shume të konsiderueshme parash ndaj pronarit të banesës.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Los Angeles-it miratoi kërkesën e pronarit, i cili pretendon se çifti i detyrohet rreth 84 mijë dollarë qira të papaguar. Përveç kësaj, në padi kërkohet edhe mbulimi i shpenzimeve ligjore dhe kompensim për çdo dëm të mundshëm të shkaktuar në pronë.
Richards, 54 vjeçe, dhe Phypers, 53 vjeç, kishin marrë shtëpinë me qira në qershor të vitit 2020, duke paguar një depozitë sigurie prej 24 mijë dollarësh.
Megjithatë, aktorja ka deklaruar se prej kohësh nuk jeton më në këtë banesë, për shkak të divorcit të saj të tensionuar me Phypers pas gati gjashtë vitesh martesë.
Në dokumente të dorëzuara në gjykatë, Richards pohon se është larguar nga shtëpia rreth dy vite më parë dhe se kishte besuar se familja e ish-bashkëshortit do të qëndronte aty vetëm përkohësisht.
Ajo gjithashtu ka theksuar se e kishte njoftuar Phypers se ai do të ishte përgjegjës për pagesën e qirasë duke filluar nga janari, ndërkohë që familja e tij vazhdonte të jetonte në pronë dhe refuzonte të largohej.
Sipas dosjes gjyqësore, pronari kishte tentuar për gjashtë muaj rresht të kontaktonte Phypers për shlyerjen e detyrimeve financiare, por pa rezultat.
Kjo situatë e detyroi atë të ndjekë rrugën ligjore për dëbim, pasi të dy emrat vazhdojnë të figurojnë ende në kontratën e qirasë.
Çështja ka tërhequr vëmendje të madhe mediatike, duke hedhur dritë mbi problemet financiare dhe personale që kanë shoqëruar ndarjen e bujshme të çiftit.