Një gjykatë miratoi kërkesën e Aaron Phypers për mbështetje të përkohshme financiare në mes të procedurave të divorcit me aktoren Denise Richards.
Sipas vendimit, Richards do t’i paguajë atij 5,000 dollarë në muaj, si dhe 30,000 dollarë shtesë për të mbuluar tarifat ligjore të çështjes së divorcit.
Gjatë seancës dëgjimore të së enjtes, gjyqtarja Nicole Bershon sqaroi se 30,000 dollarët janë ekskluzivisht për shpenzimet e divorcit dhe nuk lidhen me mbrojtjen e Phypers në çështjen e tij penale të veçantë. Pagesa do të kryhet në tre këste, me 10,000 dollarët e parë që duhet të paguhen në fund të marsit.
Gjykata detajoi edhe ndarjen e mbështetjes mujore prej 5,000 dollarësh:
-2,000 dollarë për qira
-1,000 dollarë për makinë
-1,000 dollarë për ushqim
-Pjesa e mbetur për shpenzime të tjera
Phypers deklaroi në gjykatë se kishte vetëm 200 dollarë në llogarinë e tij bankare dhe se kjo ndihmë financiare është e domosdoshme për të.
Nga ana tjetër, Richards argumentoi se nuk mund ta përballojë këtë shumë, duke thënë se “mezi po paguan avokatin e saj”. Ajo pretendoi se gjatë martesës së tyre (2018–2025) shpenzoi të gjitha të ardhurat dhe nuk arriti të investojë asgjë.
Avokati i saj, Mark Gross, theksoi kostot e larta të kujdesit për vajzën e tyre 14-vjeçare, Eloise, e cila vuan nga një çrregullim i rrallë kromozomik dhe zhvillim i vonuar.
Gross shtoi se “viktimat e abuzimit nuk duhet të detyrohen të mbështesin abuzuesin e tyre”, duke iu referuar urdhrit të përhershëm kufizues që Richards mori kundër Phypers në nëntor 2025.
Ndërkohë, 53-vjeçari përballet me katër akuza penale, dy për sulm ndaj bashkëshortes dhe dy për pengim të dëshmitarit me kërcënim ose dhunë , akuza që ai i mohon. Avokati i tij theksoi se klienti i tij nuk është dënuar për asnjërën prej tyre.
Çifti u nda verën e kaluar, ndërsa në janar Richards foli publikisht për një vit “të dhimbshëm”, duke thënë se pavarësisht gjithçkaje, ndihet mirënjohëse për qartësinë që ka fituar.