Trendi i “detoksit të kortizolit” pretendon se është një zgjidhje e shpejtë për stresin. Por ekspertët thonë se nuk mund të “detoksikosh” kortizolin dhe rekomandojnë që të përqendrohesh te mënyrat që mbështesin ritmet natyrale të kortizolit në trup. Endokrinologia Salila Kurra, shpjegon çfarë bën kortizoli dhe si të mbështesësh një ritëm të shëndetshëm ditor.
Çfarë është kortizoli dhe pse trupi ynë ka nevojë për të?
Kortizoli është një hormon i prodhuar nga gjëndrat mbiveshkore. Ai quhet shpesh “hormoni i stresit” sepse niveli i tij rritet gjatë periudhave stresuese. Por trupi prodhon gjithmonë një sasi të caktuar kortizoli, i cili ndihmon në rregullimin e tensionit të gjakut, metabolizmit dhe nivelit të sheqerit në gjak.
Çfarë është “kurba e kortizolit”?
“Kurba e kortizolit” i referohet faktit që trupi prodhon natyrshëm më shumë kortizol në mëngjes dhe niveli i tij bie gradualisht gjatë ditës. Nivelet janë më të ulëta natën para gjumit. Ky cikël ndihmon që të zgjohesh në mëngjes dhe të përgatitesh për gjumë në mbrëmje.
Çfarë është “detoksi i kortizolit” dhe pse mund të jetë mashtrues?
“Detoksi i kortizolit” i referohet idesë se disa zakone si kufizimi i kafeinës dhe kohës para ekranit, gjumi më i mirë, ushqimi i shëndetshëm dhe meditimi mund të ulin nivelet e përgjithshme të kortizolit dhe kështu të zvogëlojnë stresin. Shqetësimi kryesor me termin “detoks i kortizolit” është ideja se kortizoli është i dëmshëm. Fjala “detoks” është mashtruese sepse kortizoli nuk është toksinë; ai është i nevojshëm për shumë funksione të rëndësishme të trupit dhe madje mund të rritet edhe gjatë aktiviteteve të shëndetshme si ushtrimet fizike.
Çfarë ka të saktë një i ashtuquajtur “detoks i kortizolit”?
Ideja e përgjithshme për të ulur stresin duke adoptuar zakone më të shëndetshme është shumë e mirë.
Si mund të mbështesim një ritëm të shëndetshëm të kortizolit?
Shumë zakone të përditshme mund të ndihmojnë, si:
- Ndjekja e një orari të mirë gjumi
- Mbajtja e një diete të shëndetshme
- Meditimi
- Ekspozimi ndaj dritës së diellit gjatë ditës
- Kufizimi i përdorimit të ekraneve pranë orarit të gjumit
- Rutina të shëndetshme si këto mund të mbështesin ciklet natyrale dhe të shëndetshme të kortizolit.