Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet e dërgoi për gjykim pesë persona, të akuzuar për shitjen e paketave televizive në mënyrë të paligjshme.
Në njoftimin zyrtar, prokuoria bën me dije se Franci Çela, Arzen Velika, Erlin Xhucani, Ardit Stambolliu e Adil Lila do të përballen me akuzat për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Shkelje të të drejtave të pronësisë industriale”.
Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga kompania Digitalb, e cila denoncoi disa subjekte që tregtonin në mënyrë të paligjshme paketat televizive të saj në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit, përmes shoqërive që administronin, mashtronin qytetarët duke pretenduar se zotëronin të drejtat televizive të kanaleve të ndryshme.
Hetuesit zbuluan se paketat pirate shiteshin në rrjete sociale me çmime që varionin nga 3.500 deri në 10.000 lekë, ndërsa pajisjet për dekodim (dekoderat) reklamoheshin si origjinale.
Këta persona, në cilësinë e administratorëve të subjekteve të tyre, bënin të mundur dekodifikimin dhe transmetimin e programeve televizive nëpërmjet dekoderave, duke përfituar të ardhura në mënyrë të paligjshme dhe duke cenuar interesat e ligjshme të kompanive që zotërojnë të drejtat televizive, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.