Sport

Dinamo e Ilir Dajës fiton me përmbysje në Andorrë dhe hedh një hap drejt kualifikimit!

Fitore e artë për Dinamon në arenën Europiane, pas plot 15 vitesh pritje! Blutë e Ilir Dajës triumfuan me rezultatin 1 me 2, në transfertën e Andorrës ndaj Atletik D’Eskaldes.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Vieira në minutën e 43-të. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1 me 0, teksa fragmetni i dytë i lojës foli për skuadrën shqiptare, që arriti të shënonte dy herë, me Zabërgjën dhe Qardakun.

LEXO EDHE: Asllani i prish punë Interit për Lukmanin, mesfushori i Kombëtares refuzon ofertën e rivalëve të Real Madridit!

Sulmuesi shqiptar i Kosovës, përfitoi nga një gabim i portierit në minutën e 65-të, ndërkohë që shkodrani Qardaku, realizoi në prekjen e parë të topit, vetëm disa sekoda pas aktivizimit.

Falë këtij triumfi Dinamo ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, teksa gjithçka pritet të formalizohet në duelin e kthimit.

Kjo është hera e dytë në historinë e skuadrës kryeqytetase që arrin të fitojë në Europë në fushën kundërshtare. Hera e parë ishte në Ligën e Kampioneve, në vitin e largët 2002, kur ekipi kampion i Shqipërisë luante ndaj lituanezëve të FBK Kaunas.

Asokohe dinamovitët fituan 3-2 në fushën kundërshtare po me përmbysje, pasi ishin gjetur në disavantazh të dy golave. Ahmataj, Pisha dhe Qorri vulosën në pjesën e dytë përmbysjen e bluve, që rezultoi vendimtare për kalimin në turin e dytë të turneut. Ajo ishte hera e fundit që Dinamo kalonte turin në një kompeticion ndërkombëtar.

LEXO EDHE: Lamine Yamal bëhet lojtari më i vlefshëm në botë (279.7 mln euro), dominim nga Real Madrid në dhjetëshen elitare!

Po sot, Vllaznia pret në “Loro Boriçi”, Víkingur-in në orën 20:30 ndërsa Egnatia luan në transfertë ndaj Dinamo Minskut, në orën 20:45.