Sot festohet Dita Botërore e Artit, një ditë e shpallur nga UNESCO në vitin 2019, gjatë sesionit të 40-të të Konferencës së Përgjithshme, me synimin për të promovuar zhvillimin dhe përhapjen e artit në mbarë botën.
Sipas UNESCO-s, arti ushqen krijimtarinë, inovacionin dhe larminë kulturore për të gjithë popujt, ndërsa luan një rol të rëndësishëm në ndarjen e dijes, nxitjen e kureshtjes dhe forcimin e dialogut.
Këto cilësi, thekson organizata, kanë qenë gjithmonë pjesë e artit dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla, për sa kohë mbështeten dhe mbrohen artistët dhe liria artistike. Në këtë mënyrë, zhvillimi i artit ndihmon edhe në ndërtimin e një bote më të lirë dhe paqësore.
Çdo vit, festimet e 15 prillit synojnë të forcojnë lidhjet mes krijimtarisë artistike dhe shoqërisë, të rrisin ndërgjegjësimin për larminë e shprehjeve artistike dhe të vënë në pah kontributin e artistëve në zhvillimin e qëndrueshëm.
Po ashtu, kjo ditë shërben edhe për të tërhequr vëmendjen te edukimi artistik në shkolla, me idenë se kultura mund të hapë rrugën drejt një arsimi gjithëpërfshirës dhe të barabartë.
UNESCO inkurajon publikun të bëhet pjesë e Ditës Botërore të Artit përmes aktiviteteve të ndryshme, si debate, konferenca, veprimtari kulturore, prezantime dhe ekspozita.
Në kuadër të kësaj dite, nën patronazhin e UNESCO-s dhe në partneritet me Jameel Arts & Health Lab, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Global Peace Education Network, Dr.Guila Clara Kessous organizon forumin “Arti dhe Dinjiteti Njerëzor: të Drejtat e Njeriut dhe Artet Shëruese për një Kulturë Paqeje”.
Ky forum synon të shqyrtojë ndikimin pozitiv të artit në promovimin e paqes globale, të drejtave të njeriut, shëndetit dhe mirëqenies.
Sipas Dr.Kessous, Artiste për Paqe e UNESCO-s dhe Ambasadore për Paqe e Universal Circle of Ambassadors of Peace në Gjenevë, ndikimi i artit shpesh nënvlerësohet.
Ne kemi një këndvështrim të kufizuar për artistin, si dikush që krijon bukuri pa ndërgjegje shoqërore. Në përgjigje të kësaj, shumë artistë vendosin të bashkojnë aktivizmin me artin për t’u bërë ‘artivistë’, duke vënë talentin e tyre në shërbim të lehtësimit të vuajtjeve, promovimit të paqes dhe parandalimit të luftës.
Në përputhje me mandatin e UNESCO-s për ta promovuar artin si urë lidhëse mes kulturave, ideologjive, gjuhëve dhe hapësirave gjeografike, forumi e vendos theksin te arti si një mjet i rëndësishëm për shërim, bashkimin e shoqërisë dhe forcimin e kulturës së paqes. / shqip.al