Një aksident me vdekje u shënua sot rreth orës 09:50, në rrugën “Skënderbeu” në Golem. Policia njofton se një i ri humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke aksidentuar një këmbësore 56 vjeçare. Sipas uniformave blu, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë lagështira në rrugë.
Rreth orës 09:50, në rrugën “Skënderbeu”, në Golem, shtetasi R.F., 19 vjeç, banues në Kavajë, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit si pasojë e lagështirës në rrugë dhe ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen Sh.Sh., 56 vjeçe.
Si pasojë e aksidentit, 56-vjeçarja ka ndërruar jetë, njofton policia. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Një tjetër aksident rrugor ndodhi po sot në qendër të Fierit, ku një kalimtare u lëndua lehtë nga përplasja e dy makinave. E plagosura u dërgua në spital e grupi hetimor nisi punën për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.
Ndërkaq, dy turistë francezë sot u përfshinë në aksident në aksin Pogradec-Korçë, te kryqëzimi i fshatit Çerravë dhe me autoambulancë u dërguan për në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Burime pranë spitalit të Pogradecit thanë dy të lënduarit morën ndihmën e parë mjekësore, por u transferuan në kryeqytet, pasi kanë politraumë. Ata ishin duke udhëtuar me motor nga Korça në drejtim të Pogradecit e pranë kryqëzimit të Çerravës, një mjet tip BMW iu preu rrugën duke shkaktuar përplasjen.
