Një restorant në Theth u përfshi nga flakët ende pa zbardhur dita. Mjediset e bujtinës në pronësi të shtetasit Petrit Gjeçaj u shkrumbuan totalisht.
Paraprakisht, mësohet se zjarri ra rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm dhe u shua pas ndërhyrjes së banorëve të zonës. Ky ishte zjarr i fuqishëm, që shkatërroi plotësisht restorantin. Sipas dëshmive, ndërhyrja e zjarrfikëses ishte me vonesë, ç’ka vështirësoi kontrollin e situatës.
Turistët u evakuuan e nuk pati të lënduar. Për momentin, nuk dihen shkaqet apo rrethanat e ngjarjes e pritet edhe një njoftim zyrtar nga policia. Pronari i restorantit shprehet se vetëm ekspertiza do të përcaktojë nëse zjarri është shkaktuar nga ndonjë defekt elektrik apo bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm.