Health & Beauty

Do të habiteni…/A mund të parashikojnë ëndrrat sëmundjen?

Nëpërmjet ëndrrave ne shpesh zgjidhim konflikte të brendshme, kuptojmë diçka që nuk arrijmë ta shohim me vetëdije por a mund të ndodhë që ëndrrat të paralajmërojnë edhe sëmundje fizike? Sipas disa studimeve, ëndrrat mund të sinjalizojnë prirjen për zhvillimin e një sëmundjeje shumë më herët sesa njeriu ta kuptojë. Ka raste të dokumentuara ku njerëzit kanë raportuar ëndrra të përsëritura që i kanë paralajmëruar për sëmundje si kanceri, tuberkulozi apo madje edhe për një sulm në zemër.

Që nga kohët e lashta besohej se ëndrrat mund të tregojnë për praninë e sëmundjeve ende të padukshme. Edhe Aristoteli besonte se sëmundjet nisin në mënyrë të padukshme dhe se shenjat e para mund të shfaqen vetëm gjatë gjumit, kur trupi dhe truri janë më të qetë. Në shumë raste, ëndrrat mund të jenë mënyra se si trupi përpiqet të na paralajmërojë për diçka që ndodh në brendësi. Shpesh ne i injorojmë shenjat e vogla ditore si lodhjen, parehatinë, stresin, por gjatë gjumit, kur truri është i qetë dhe pa shpërqendrime, këto ndjesi bëhen më të qarta. Ëndrrat mund të përqendrojnë ndjesinë e dhimbjes në një vend të caktuar.

Ëndrrat mund të lidhen edhe me shtatzëninë. Shumë gra raportojnë se gjatë kësaj periudhe kanë më shumë ëndrra të gjalla e të çuditshme. Studime të kryera në Izrael dhe Itali kanë treguar se gratë shtatzëna që kanë më shumë ëndrra, madje edhe të frikshme, kanë më pak gjasa të zhvillojnë depresion pas lindjes dhe shpesh përjetojnë lindje më të lehta. Disa njerëz praktikojnë ëndërrimin lucid, aftësinë për të qenë të vetëdijshëm gjatë ëndrrës dhe për ta drejtuar atë sipas dëshirës. Kjo teknikë, tashmë e dokumentuar shkencërisht, u mundëson të shfrytëzojnë më mirë aftësitë e trurit dhe të lidhen më thellë me procesin e vetë-shërimit.