Health & Beauty Lifestyle Sex

Viagra mund të ndalë një sëmundje që prek miliona meshkuj?

Një studim i ri shkencor ka ngritur shpresa për një trajtim më efektiv të sëmundjes së Peyronie, një gjendje që prek miliona meshkuj në mbarë botën dhe mund të shkaktojë lakim të penisit, dhimbje gjatë ereksionit dhe probleme serioze në jetën seksuale.

Studiues nga universiteti “Anglia Ruskin University” kanë zbuluar se sildenafili, përbërësi aktiv i njohur nga Viagra, mund të luajë një rol të rëndësishëm në ngadalësimin ose ndalimin e përparimit të kësaj sëmundjeje kur përdoret në fazat e hershme.

Sëmundja e Peyronie zhvillohet si pasojë e formimit të indit fibroz brenda penisit, duke shkaktuar deformim, dhimbje dhe shpesh ndikim të madh psikologjik te pacientët. Vlerësohet se ajo prek rreth 10 për qind të meshkujve gjatë jetës së tyre, ndërsa mundësitë e trajtimit deri më tani kanë qenë të kufizuara.

Sipas studimit të publikuar në “The Journal of Sexual Medicine”, kombinimi i barnave të grupit PDE5, si sildenafili (Viagra) dhe tadalafili (Cialis), me tamoxifen, mund të japë rezultate të rëndësishme në fazën akute të sëmundjes.

Në kërkim morën pjesë 133 meshkuj të diagnostikuar me Peyronie në fazë të hershme. Ata u trajtuan për tre muaj me terapinë e kombinuar dhe rezultatet u krahasuan me pacientë që morën vetëm kujdes standard.

Rezultatet treguan se 43 për qind e pacientëve që morën terapinë e kombinuar patën përmirësim të lakimit të penisit, krahasuar me vetëm 15 për qind në grupin e kontrollit.

Po ashtu, dhimbja gjatë ereksionit u ul në mënyrë dramatike. Në fillim të studimit, 65 për qind e pacientëve raportuan dhimbje, ndërsa pas tre muajsh kjo përqindje ra në vetëm 1.5 për qind. Në grupin që nuk mori trajtimin e ri, rënia ishte shumë më e vogël.

Ekspertët besojnë se këto rezultate mund të ndryshojnë mënyrën se si trajtohet sëmundja e Peyronie në të ardhmen, pasi aktualisht nuk ekziston një terapi orale e miratuar që ndalon përparimin e saj në fazat e hershme.

Profesori David Ralph, i cili udhëhoqi studimin, deklaroi se kombinimi i tamoxifenit me inhibitorët PDE5 tregoi përparim dukshëm më të vogël të sëmundjes dhe përmirësim më të madh të lakimit krahasuar me trajtimet standarde.

Megjithatë, specialistët theksojnë se Viagra, Cialis apo tamoxifeni nuk duhet të përdoren pa rekomandimin dhe mbikëqyrjen e mjekut, veçanërisht te personat që vuajnë nga sëmundje të zemrës ose përdorin medikamente për tensionin e gjakut.