Presidenti amerikan, Donald Trump edhe një herë ka zgjedhur që të drejtojë gishtin nga media. Ai pretendon se TV janë 97% kundër tij. Shefi i Shtëpisë së Bardhë kërcënon të revokojë licencat.
Lexova diku se rrjetet janë 97% kundër meje… e megjithatë fitova lehtësisht, të shtatë shtetet e lëkundura në vitin 2024. Ata thjesht më japin lajme të këqija, por kanë një licencë. Mendoj se ndoshta licenca e tyre duhet të revokohet.
Trump specifikoi se vendimi “do të varet nga Brendan Carr”, kryetari i Komisionit Federal të Komunikimeve, i njohur ndryshe si një aleat i tij i ngushtë. Kreu i Komisionit Federal të Komunikimeve njoftoi edhe se “pezullimi i Jimmy Kimmel-it nuk është surpriza e fundit”.
Pasi në Britaninë e Madhe ku shkoi për vizitë u prit si mbret, me roje nderi dhe një banket shtetëror të organizuar nga Mbreti Charles në Windsor, Donald Trump u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer në rezidencën e tij në Chequers.
Gjatë konferencës për shtyp, njoftoi:
Do të kemi një marrëveshje në shkencë, teknologji dhe energji e kjo do të krijojë bashkëpunim midis sektorit privat, akademisë dhe industrisë, në fushën e Inteligjencës Artificiale, e cila tani po fiton terren. Kjo do t’u lejojë kombeve tona të udhëheqin inovacionin, si dhe të dominojnë të ardhmen e Inteligjencës Artificiale.
Po ashtu u pyet në lidhje me shkarkimin e prezantuesit të ABC Late Night Show për një episod në të cilin ai kritikoi botën Maga.
Jimmy Kimmel u shkarkua për mungesë talenti dhe vlerësimesh, deklaroi Trump.
Në një tjetër zhvillim, raportohet se presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar që të miratojë më shumë se 400 milion dollarë ndihmë ushtarake për Tajvanin këtë verë. Sipas gazetës Washington Post, ky vendim erdhi pasi shefi i Shtëpisë së Bardhë po kërkon që të negociojë një marrëveshje tregtare e një samit të mundshëm me udhëheqësin kinez Xi Jinping.