Emisioni i komedianit, Jimmy Kimmel, i ndërprerë papritur javën e kaluar rikthehet sot, siç ka njoftuar kompania Disney. Ndërprerja e befasishme e programit në televizionin ABC, në pronësi të Disney-t, ndodhi pas ankesave të qarqeve konservatore amerikane në lidhje me komentet e Kimmelit pas vrasjes së aktivistit konservator, Charlie Kirk.
Të mërkurën e kaluar morëm vendimin të ndalonim transmetimin e emisionit, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës së tensionuar në një moment emocional për vendin tonë. Ky ishte një vendim i marrë pasi vlerësuam se disa nga komentet ishin të papërshtatshme e të pandjeshme, thuhet në njoftimin e kompanisë. Në ditët e fundit kemi zhvilluar biseda të kujdesshme me Jimmyn dhe pas tyre kemi marrë vendimin që programi të kthehet të martën (23.09).
Sipas tij “shumë njerëz në botën MAGA [Bëje Amerikën Sërish Madhështore] po punojnë shumë për të përfituar nga vrasja e Charlie Kirkut”. Kimmel i bëri këto deklarata lidhur me reagimet ndaj vrasjes së aktivistit konservator, gjatë emisionit “Jimmy Kimmel Live”.
ABC që e transmeton emisionin e Kimmel-it që nga viti 2003, i komunikoi vendimin.
Deklaratat e Kimmelit për vdekjen e Kirkut janë fyese, të pandjeshme dhe janë bërë në një moment kritik të diskutimit tonë politik kombëtar, u shpreh një përfaqësues i divizionit të transmetimeve në Nextar, që operon me 23 stacione të lidhura me ABC-në.
Njoftimi i ABC-së se Jimmy Kimmel do të rikthehet në ekran erdhi vetëm disa orë pasi qindra yje nënshkruan një letër në mbrojtje të humoristit të njohur. Aktorët e famshëm Jennifer Aniston, Meryl Streep dhe Robert De Niro janë mes emrave më të mëdhenj që e kanë quajtur pezullimin e Kimmelit një “moment të errët për lirinë e fjalës në Amerikë”.