Presidenti amerikan Donald Trump ka ndezur sërish përplasjen e tij me yllin e muzikës pop, Taylor Swift, duke bërë një koment thumbues dhe personal në rrjetin e tij social “Truth Social”.
Në një postim të datës 16 maj, 78-vjeçari shkroi:
Ka vënë re ndonjëri se, që kur thashë ‘E URREJ TAYLOR SWIFT’, ajo s’është më ‘E NXEHTË’?
Kjo nuk është hera e parë që Trump shprehet me përçmim për Swift-in.
Në shtator 2024, pas kritikave që këngëtarja bëri për përdorimin e paautorizuar të imazheve të saj të gjeneruara nga inteligjenca artificiale në fushatën e tij, si dhe për mbështetjen publike që ajo dha për Kamala Harris, Trump u kundërpërgjigj me një deklaratë në “Fox & Friends”:
Nuk kam qenë ndonjëherë fans i Taylor Swift. Ajo gjithmonë mbështet Demokratët. Dhe do ta paguajë këtë në treg, më besoni.
Ai nuk e la me kaq. Më 28 prill, gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë për të festuar fitoren e “Philadelphia Eagles” në Super Bowl, Trump përmendi sërish Swift-in në mënyrë ironike.
Duke iu referuar faktit që ajo ndodhej në ndeshje për të mbështetur partnerin e saj, Travis Kelce – lojtar i “Kansas City Chiefs” – Trump tha me një buzëqeshje ironike:
Si përfundoi ajo? Si përfundoi ajo, a?
Duke nënkuptuar se prania e saj nuk kishte sjellë fat për skuadrën e Kelce.
Pavarësisht sulmeve të përsëritura nga Trump, Taylor Swift mbetet një nga figurat më të fuqishme në kulturën pop dhe në skenën publike amerikane.
Ajo ka kombinuar me sukses karrierën muzikore me aktivizmin qytetar dhe angazhimin politik, veçanërisht në çështje që prekin të rinjtë dhe të drejtat e votës.