Pas zvarritjeve 5 mujore të seancave paraprake për privatizimin e klubit sportiv “Partizani”, sot GJKKO-ja pritet të vendosë në seancë paraprake nëse kjo dosje do të kalojë ose jo për gjykim, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, si dhe biznesmenin Fatmir Bektashi, ortakun e Malltezit, Xhimi Begeja e financieren Andia Pustina.
Eshtë radha e prokurorëve që t’i përgjigjen pretendimeve të avokatëve. Më pas, gjyqtarja e seancës paraprake, Flojera Davidhi pritet të vendosë përfundimisht për kalimin e dosjes për gjykim.
Janë gati 4 vite e gjysmë nga nisja e hetimeve ndërsa e para seancë paraprake u zhvillua më 24 tetor. Kalimin në gjyq e vonuan kërkesa pa fund të avokatëve mbrojtës të palëve për më shumë kohë, për t’u njohur me materialet.
Berisha dhe Malltezi vijojnë të jenë në masa sigurie “Detyrim për paraqitje” dhe “Arrest shtëpie”. Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv dhe se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin duke ua kthyer kompleksin Partizani ish-pronarëve, me përfitues kryesor dhëndrin e tij, i akuzuar për korrupsion pasiv e pastrim të parave. Në sipërfaqen e ish-klubit u ndërtuan pallate.
Krahas Berishës e Malltezit, ndërtuesi Fatmir Bektashi, akuzohet për “Korrupsion aktiv” e “Pastrim parash”. Po për pastrim parash akuzohen edhe Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës, si dhe Andia Pustina, e cila kryente operacionet financiare e ligjore të Homeplan-it.
Paralelisht, SPAK-u vuri në sekuestro preventive pasuri të Jamarbër e Argita Malltezit. Apartamente, vila, troje dhe llogari bankare do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit. Një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit e verifikime, nëse familjarët kanë përfituar nga vendimet e tij.