Aktualitet Politikë

Kërkoi revokim të masës, GJKKO lë në ‘arrest shtëpie’ Jamarbër Malltezin!

Gjykata e Apelit të Posaçëm, vendosi të lërë të pa ndryshuar masën e “arrestit shtëpiak” për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, në hetim për aferën “Partizani”.

Vendimi është dhënë nga gjyqtari Engert Pëllumbi. Ankimi në Apel u shqyrtua ditën e djeshme, ku Malltezi u përfaqësua nga avokatët e tij dhe në përfundim gjykata shtyu seancën për shpalljen e vendimit për sot.

Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha mbetet kështu në “arrest shtëpie” që prej nëntorit të vitit 2023. Aktualisht ai është marrë i pandehur në dosjen “Partizani” për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “pastrimit të parave”.

Njoftimi i Apeli i GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 24.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 25 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit J.M., në lidhje me: “Ankim ndaj vendimit nr. 714, datë 12.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Revokimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, caktuar me vendimin nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Shuarjen e masës së sigurimit të “Arrestit në shtëpi”, për J.M., caktuar me vendimin nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 714, datë 12.12.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.