Aktualitet Politikë

Drejtoi mjetin në gjendje të dehur, SPAK çon për gjykim deputetin e PD, Qani Xhafa!

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen hetimore për deputetin e PD, Qani Xhafa.

Ligjvënësi në mars të vitit 2023 në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit, u përfshi në një aksident rrugor në bulevardin “Qemal Stafa” të Elbasanit.

Deputeti Xhafa dyshohet se ishte në gjendje të dehur duke drejtuar automjetin e tij dhe u aksidentua duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor.

SPAK e akuzon deputetin për ‘Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt’.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e  Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.27 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se më 11 mars 2023, i pandehuri Qani Xhafa, aktualisht Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip Toyota me targa AB 457 IJ, në Bulevardin “Qemal Stafa”, Elbasan ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor. Nga aksidenti janë shkaktuar dëme të lehta materiale.

I pandehuri Qani Xhafa ushtron funksionin e Deputetit në Kuvendin e Shqipërisë prej datës 19 Maj 2023.