Bota

Dronët rusë godasin qytetet e mëdha në Ukrainë!

Ushtria ruse sulmoi disa rajone të Ukrainës me dronë. Të paktën dy persona u vranë në Odesë. Alarmet për sulme ajrore u aktivizuan në 11 rajone të Ukrainës gjatë bombardimeve. Sulmi “në shkallë të madhe” ndaj qytetit port të Odesës, buzë Detit të Zi, siç u përshkrua nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës në një postim në Telegram, vrau dy persona dhe plagosi 15 të tjerë.

Guvernatori i Odesës, Oleh Kiper:

Në disa vende shpërthyen zjarre, që u shuan.

Kiper kishte paralajmëruar më herët për rrezikun e sulmeve nga dronët, duke iu thënë banorëve të Odesës dhe të rajonit që të gjenin strehim.

Shërbimet e emergjencës dhe ato komunale po punojnë në terren për të eliminuar pasojat e sulmeve, si dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore për viktimat.

Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit të Ukrainës, reagoi pas sulmit të Rusisë ndaj Odesës, duke bërë thirrje për një “armëpushim të plotë”, në një postim në Telegram.

Ne duhet të angazhohemi për këtë së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe me Europën. Putin gjithmonë do ta ketë dëshirën për vrarë. Por, diplomacia, forca dhe trysnia ekonomike do ta bindin Rusinë t’i japë fund luftës.

Shpërthime u dëgjuan edhe në qytetin verilindor Sumi, ndërsa alarmet  u aktivizuan në disa vende, përfshirë Sumin, Kievin, Harkivin, Çernhivin, Donjeckun, Dnipropetrovskun dhe Zaporizhjën. Prefekti i Harkivit, Ihor Terekohova, njoftoi se një dron kishte goditur në kufirin ndërmjet dy zonave në qytet, duke shkaktuar zjarr dhe duke plagosur një numër të panjohur njerëzish. Terekhova raportoi më vonë se droni kishte goditur një pompë benzine në distriktin e Kievit.

Edhe vetë qyteti lindor i Harkivit u sulmua, tha guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, duke cituar informatat e para. Ai shtoi se një zjarr kishte shpërthyer si rezultat i sulmit. Goditjet ruse u kryen teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për mineralet, të cilën administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e quajti një partneritet ekonomik që njeh “mbështetjen e rëndësishme financiare dhe materiale që populli i Shteteve të Bashkuara ka mundësuar për mbrojtjen e Ukrainës që nga pushtimi në shkallë të gjerë nga Rusia”.