Vetëm pak ditë pasi rrëmbeu çmim në ‘’Brit Awards’’, Dua Lipa u nominua për një tjetër çmim të rëndësishëm. Këngëtarja shqiptare, u fut në listën e ngushtë të “British LGBT Awards 2022’’. Artistët, Olly Alexander dhe Lady Gaga të dy u nominuan në kategorinë “Ylli i vitit”, ndërsa këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa për çmimin “Artistja muzikore e MTV”.

Përveç tyre, komediani Alan Carr, prezantuesi televiziv Rylan Clark, reperja Lady Leshurr dhe grupi Steps janë gjithashtu ndër të nominuarit. Themeluesja e ‘British LGBT Awards’, Sarah Garrett u shpreh se:
Këto çmime ndriçojnë dritën mbi ata që kanë qëndruar krah për krah me komunitetin LGBT+, gjatë 12 muajve të tjerë shumë sfidues për komunitetin. Të nominuarit, të cilët përfshijnë një përzierje emocionuese të fytyrave, aleatëve dhe organizatave të famshme LGBT+, kanë treguar të gjithë një përkushtim për avancimin e të drejtave LGBT+. Çmimet më 24 qershor do të jenë një festë e madhe e kulturës sonë.

Rikujtojmë se eventi i “Brit Awards 2022”, ishte një natë e madhe veçanërisht për këngëtaren e njohur Adele. Ajo dhe Ed Sheeran kryesonin në listën e çmimeve Brit 2022 mes shumë të tjerëve, me 4 nominime secili. E nominuar në këtë event ka qenë edhe artistja shqiptare Dua Lipa, e cila ka arritur të triumfojë në një nga dy çmimet për të cilat ishte e nominuar. Ajo ka fituar çmimin “Artistja më e mirë e zhanrit Pop dhe R&B”, duke lënë prapa emrat e suksesshëm si Ed Sheeran, Adele, Griff dhe Joy Crookes.
Megjithatë Dua nuk ka mundur të jetë prezente në “The O2 Arena” në Londër për të tërhequr fizikisht çmimin, por i ka përshëndetur me një video-mesazh nga larg publikun. Ajo i falënderoi të gjithë për mbështetjen që i kanë dhënë drejt triumfit të këtij çmimi, ndërsa kërkoi falje që nuk ishte pjesë në mbrëmje. Arsyeja ishte sepse këngëtarja ndodhet në kontinentin amerikan për turneun e saj “Future Nostalgia”. Por cilët ishin fituesit në të gjithë kategoritë e caktuara? Zbuloni në këtë link listën e plotë të fituesve të çmimeve në “Brit Awards 2022”.