Botë e Çuditshme Design Travel

Dubai do të hapë një rrugë…e tëra prej ari!

Dubai, qyteti i njohur për luksin, po përgatitet të shtrojë rrugët me ar. Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë njoftuar se qyteti do të hapë së shpejti një rrugë të ndërtuar me ar, e cila pritet të bëhet një nga atraksionet më të reja turistike. Atraksioni i ri do të ndodhet pranë Gold Souk, tregut të famshëm të arit ku turistët blejnë bizhuteri dhe metale të çmuara. Projekti është pjesë e distriktit të arit të Dubait, një zonë e re që synon të forcojë më tej rolin e Dubait si qendër globale e tregtisë së arit.

Rruga do të “ndërtohet duke përdorur ar”, megjithëse detajet teknike se çfarë nënkupton kjo ende nuk janë bërë publike. Zhvilluesit e projektit nuk kanë sqaruar nëse ari do të përdoret si element dekorativ apo si pjesë reale e strukturës së rrugës. Data e hapjes gjithashtu nuk është shpallur ende.

Distrikti i arit të Dubait është në thelb një riemërtim dhe zgjerim i Gold Souk, zonë e vendosur në Deira, në pjesën e vjetër të qytetit. Ajo përfshin rreth 1 mijë dyqane që tregtojnë ar dhe bizhuteri. Sipas të dhënave zyrtare, Emiratet e Bashkuara Arabe janë destinacioni i dytë më i madh në botë për tregtinë fizike të arit. Vetëm gjatë viteve 2024–2025, vendi eksportoi ar me vlerë 53.41 miliardë dollarë.