Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

“Duhet të mbrojmë çdo votë të shqiptarëve”/ Berisha: Kemi filmime mbi dhunimin masiv të zgjedhjeve, do ua dorëzojmë ndërkombëtarëve!

Kryedemokrati Sali Berisha në një deklaratë për mediat u bëri thirrje numëruesve që ta kryejnë detyrën gjer në fund pavarësisht presionit.

Ai përsëriti sërish se zgjedhjet ishin të kapura nga organizata kriminale të rajonit.

Çdo orë që kalon nxjerr fakte dokumente shkatërrimtare për farsën elektorale të 11 majit të organizuar nga Totorino i Tiranës Edi Rama. Unë jam këtu për të shprehur vlerësimin tim për të gjithë ata komisionerë, numërues dhe vëzhgues të opozitës që në kushte të një presioni të gjithanshëm në kufijtë e terrorizmit po bëjnë detyrën e tyre dhe i ftoj ta kryejnë gjer në fund, kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur votën e shqiptarëve.

Jemi të detyruar të mbrojmë çdo votë të hedhur për qytetarët, do faktojmë farsën që po kundërmon në të katër anët, farsën elektorale që organizoi narkoregjimi në 11 maj 2025. Në këtë kuadër PD dhe opozita po përgatit luftën e fuqishme për mbrojtjen e të drejtës së votës së shqiptarëve.

Raportet paraprake defakto në parimin më themelor të zgjedhjeve i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet, jo vetëm në të parim, ka patur probleme po kaq të rënda, zgjedhje të kapura nga organizata kriminale të rajonit, luftojnë në këto zgjedhje për lëkurën e tyre.

Numëruesit dhe vëzhguesit janë terrorizuar

 Në këtë kuadër, dënoj me forcën më të madhe terrorin e policisë ndaj numëruesve e komisonerëve. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të vëzhguesit Luan Tollozhina, e gjithë ngjarja është një kurth policesk, i organizuar kundër tij. Ai mbahet në burg vetëm si qëndrestar dhe mbrojtës i votës. Dënoj aktet e tjera që kanë terrorizuar demokratët, që kanë dorëzuar filmime, dokumente mbi dhunimin masiv të këtyre zgjedhjeve. Ftoj demokratët dhe mbarë opozitën të vazhdojmë këtë mision si misioni i të gjitha misioneve të një opozite, duke kërkuar rikthimin e votës së lirë. Asgjë në botë, asgjë fuqi nuk do mund të fshehë të vërtetat e shëmtuara të grabitjes së zgjedhjeve nga narkoregjimi i Tiranës. Ata që injorojnë se këto zgjedhje u grabitën në mënyrat më kriminale, do të zhgënjehen më vonë kur ne të kemi faktuar para çdo shqiptari dhe në çdo kryeqytet të Evropës dhe botës shëmtinë e kësaj farse elektorale.