Shumë njerëz duken të qetë dhe të rregullt, por brenda luftojnë me presion të padukshëm, frikë nga dështimi dhe lodhje që askush nuk e vëren. Këta persona vuajnë, planifikojnë me detaje, janë të suksesshëm, por për gjithçka paguajnë një çmim. Ekziston një formë ankthi kur njeriu, në shikim të parë, duket i organizuar, është i suksesshëm në punën me të cilën merret, por jeton nën presion të vazhdueshëm. Ankthi funksional i lartë është një problem i fshehur i shumë personave që në shikim të parë duken të suksesshëm, njerëz që shkëlqejnë në punë dhe në marrëdhëniet me të tjerët.
Ky lloj ankthi nuk është zyrtarisht i pranuar si çrregullim mendor, por megjithatë është një gjendje që në mënyrë të ndjeshme e ul cilësinë e jetës. Të gjithë jemi ndonjëherë në ankth para një paraqitjeje publike ose një ngjarjeje të rëndësishme, por jo deri në atë masë që të vuajmë. Ky ankth mund të jetë aleati ynë dhe të na motivojë të kryejmë detyrat. Nga ana tjetër, ankthi funksional i lartë është diçka krejt tjetër. Ekspertët shpesh e përshkruajnë personin shumë të ankthshëm si “rosë që lundron qetë mbi ujë, ndërsa nën ujë këmbët i lëviz me panik”. Këta persona duken të qetë dhe të fokusuar, por brenda luftojnë dhe thjesht përpiqen ta përballojnë ditën.
Personi tipik me ankth funksional të lartë planifikon gjithçka dhe dëshiron që gjithçka ta kryejë me kohë. Ai është mësuar me një nivel të vazhdueshëm ankthi dhe i fsheh me mjeshtëri simptomat psikologjike dhe fizike. Në këto rrethana, çdo stres shtesë mund të çojë në humbje të kontrollit. Personat me ankth funksional të lartë, për shkak të mungesës së vetëdijes ose mirëkuptimit, i përballojnë simptomat në heshtje dhe janë vazhdimisht në prag të djegies emocionale, shpjegon dr. Danaram.
Dr. Danaram thotë se ankthin funksional të lartë e shoqërojnë simptoma si ndjenjë e shtuar brenge dhe ankthi që zgjat gjatë shumicës së ditëve për të paktën 6 muaj, shqetësim që mund të shfaqet si nervozizëm, lodhje dhe rraskapitje pas stresit intensiv, irritim kur gjërat nuk shkojnë sipas planit, tension muskulor, shtrëngim i grushteve ose nofullës, probleme me gjumin, vështirësi për të fjetur, zgjim gjatë natës, vështirësi në delegimin e detyrave ose mosbesim se të tjerët do ta kryejnë punën, rreptësi e tepruar ndaj vetes, standarde të larta dhe shpesh joreale, përdorim i alkoolit apo substancave të tjera për qetësim. Faktorët e rrezikut për zhvillimin e ankthit funksional të lartë janë çrregullimet e ankthit në familje, probleme hormonale dhe shëndetësore, veçanërisht çrregullimet e funksionit të tiroides, abuzimi me alkool dhe substanca psikoaktive, tërheqja ose turpi në fëmijëri.