Për shumicën prej nesh, qiraja është një shpenzim i madh. Çdo muaj një pjesë e madhe e të ardhurave zhduket nga llogaria bankare, duke lënë pak hapësirë për kursime apo luks. Megjithatë, Deloitte, përmes raportit vjetor Property Index, analizoi tregjet e pasurive të paluajtshme në qytetet kryesore të kontinentit duke nxjerrë në pah ku qiraja është më e papërballueshme dhe ku gjenden ofertat më të mira.
Raporti merr në shqyrtim si çmimet e blerjes së shtëpive në raport me të ardhurat, ashtu edhe qiratë mesatare për metër katror. Dhe tabloja është e larmishme: Amsterdami, për shembull, rezulton ndër tregjet më të shtrenjta për blerje (çmimet janë 15 herë mbi të ardhurat mesatare), por nuk renditet as në pesëshen e parë më të shtrenjtë për qira.
Nga ana tjetër, qytete si Torino në Itali, Odense në Danimarkë e Mançester në Angli, shfaqen si më të përballueshmet për blerje.
Luksemburgu, kryeqyteti më i shtrenjtë për qira
Surpriza e raportit është Luksemburgu, i cili ka dalë në krye si qyteti më i shtrenjtë në Europë për qiradhënie. Çdo muaj, banorët aty paguajnë mesatarisht 43.40 euro për metër katror, pothuajse dhjetëfishin e çmimit në Durrës, Shqipëri, qyteti më i lirë në listë. Për krahasim, Parisi, që renditet i dyti, kushton mbi 10 euro më pak për metër katror.
Megjithëse çmimet janë të kripura, Deloitte thekson se tregu i qirasë në Luksemburg ka treguar shenja përmirësimi vitet e fundit, edhe pse vazhdon të dominohet nga një ofertë e kufizuar për banesa “të pozicionuara mirë”.
Durrësi, më i përballueshmi në kontinent
Në anën tjetër të shkallës qëndron Durrësi, i cili sipas raportit ofron qiratë më të lira në Europë. Qiraja mesatare është dhjetë herë më e ulët se në Luksemburg, duke e bërë qytetin bregdetar shqiptar një nga tregjet më të përballueshme për banorët dhe investitorët.
Çmimet e ulëta pasqyrojnë ende diferencën mes tregjeve të Europës Perëndimore dhe atyre të Ballkanit, megjithatë trendi rritës i turizmit dhe interesit për banesa me qira në sezon mund ta ndryshojë këtë ekuilibër në vitet në vijim. Prej kohësh në krizë banesash, Parisi renditet i dyti me 32 euro për metër katror, ndërsa Dublini është shumë afër, me 31.70 euro.
Ndërkohë, Deloitte raporton “shenja rimëkëmbjeje” në kryeqytetin francez, ndërsa Irlanda vazhdon të mos arrijë objektivat e ndërtimit të banesave, duke e lënë tregun e saj në kushte të brishta. Në vendin e katërt gjendet Barcelona, me 29.90 euro, pasuar nga Oslo (27.30 euro) dhe Madridi (27.10 euro).
Ndryshe nga perceptimi i zakonshëm, Londra nuk është në krye të listës. Me një qira mesatare prej 23.80 euro (20.60 £) për metër katror, kryeqyteti britanik renditet i nënti. Në dhjetëshen e parë futen gjithashtu edhe Amsterdami, Kopenhageni dhe Galway.
Dhjetë qytetet më të shtrenjta në Europë për qira (2025):
Luksemburg – 43.40 euro për m²
Paris – 32.00 euro për m²
Dublin – 31.70 euro për m²
Barcelona – 29.90 euro për m²
Oslo – 27.30 euro për m²
Madrid – 27.10 euro për m²
Amsterdam – 26.30 euro për m²
Kopenhagen – 24.80 euro për m²
Londër – 23.80 euro për m²
Galway – 22.90 euro për m²
Raporti i Deloitte vë në dukje kontrastin e fortë mes dy skajeve të Europës: nga Luksemburgu ku qiraja është luks, te Durrësi në Shqipëri ku mbetet më e përballueshme në kontinent. Një pasqyrë që tregon jo vetëm presionin mbi qytetarët, por edhe sfidat dhe mundësitë e politikave të strehimit në Europë. / shqip.al