Dy aksidente rrugore janë regjistruar brenda pak minutash në dy segmente të ndryshme të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit. Një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos. Në aksin kombëtar Elbasan-Librazhd, në segmentin Xibrakë-Labinot Fushë, dy automjete që lëviznin me shpejtësi të lartë u përplasën mes tyre. Për pasojë u dëmtuan rëndë dy persona, që cilët u transportuan me urgjencë në spital. Fatkeqësisht, njëri prej tyre nuk arriti t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Një tjetër aksident u regjistrua në Kthesat e Murrashit, ku një automjet doli nga rruga, por fatmirësisht pa pasoja serioze për drejtuesin e makinës. Megjithatë, ngjarja ka shtuar shqetësimet për sigurinë rrugore në zonë. Rrethanat e plota dhe shkaqet e sakta të dy aksidenteve, ende nuk janë të qarta. Grupet hetimore ndodhen në vendngjarje për të kryer verifikimet përkatëse.
Paraprakisht, dyshohet se shpejtësia e lartë dhe kushtet e vështira atmosferike, me reshje të dendura shiu në zona të ndryshme të qarkut, kanë ndikuar në përkeqësimin e qarkullimit e si rezultat, në shtimin e rrezikut të aksidenteve.
Në akset rrugore të Elbasanit, qarkullimi vijon i vështirë dhe kërkohet kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve, sidomos në segmentet me kthesa e pamje të kufizuar. Autoritetet rrugore kanë bërë thirrje për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe uljen e shpejtësisë, veçanërisht në kushtet e motit të keq.