Kuvendi i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet politike të 11 majit nisi të parën seancë plenare që deri në mbyllje, kaloi mes tensionesh, me opozitën që bllokoi foltoren. Deputeti më i moshuar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, refuzoi të hapte punimet, vendim që u pasua edhe nga deputeti tjetër i opozitës, Tritan Shehu. Në këto rrethana, drejtimin e seancës e mori deputeti socialist, Vasil Llajo, si më i moshuari pas dy demokratëve.
Seanca u zhvillua në prani të trupit diplomatik, drejtuesve të komuniteteve fetare, si edhe përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, si kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi e kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe. Por, ra në sy mungesa e drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani dhe Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela. Dy karriget e rezervuara për ta në lozhën e Kuvendit mbetën bosh.
