Tech Top Tech - News

Dyert elektronike që po vrasin njerëz, si ndodhi aksidenti tragjik me Xiaomi SU7?!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Një tjetër aksident tragjik me Xiaomi SU7 ka ndezur sërish debatin rreth dyerve elektronike që po vrasin njerëz. Makina, një bishë elektrike me 1,500 kuaj fuqi, u përplas në një autostradë në Kinë dhe shpërtheu në flakë. Shoferi, një 31-vjeçar i quajtur “Deng”, mbeti i bllokuar brenda sepse dyert elektronike nuk u hapën dot.

Pamjet që qarkullojnë në rrjet tregojnë kalimtarë të tmerruar që përpiqen të hapin derën, por pa asnjë mënyrë manuale jashtë, gjithçka ishte e kotë. Kur arritën zjarrfikësit, bateria kishte hyrë në thermal runaway – ajo fazë ku gjithçka përvëlon – dhe nga makina mbeti vetëm skeleti metalik.

Edhe pse Xiaomi nuk është fajtor direkt për aksidentin, rrjeti shpërtheu me akuza. Sepse nuk është hera e parë, në muajin Mars, një tjetër SU7 mori flakë dhe vrau tre studentë. Aksidenti i fundit uli ndjeshëm edhe aksionet e kompanisë në bursën e Hong Kongut, me mbi 9% rënie brenda ditës.

Ironia? Këto dyer futuriste, që filluan me Tesla Model S, u krijuan për t’u dukur “të bukura” dhe për të kursyer pak energji. Por në realitet, po kushtojnë jetë. Ky rast aksidenti tregoi qe sistemi elektronik dështoi. Edhe pse brenda ka një çelës emergjence, ai është pothuajse i paarritshëm në moment paniku.

Autoritetet kineze tashmë kanë reaguar. Po përgatisin rregulla të reja që ndalojnë dorezat e tërheqshme dhe detyrojnë sistemet manuale emergjente deri në vitin 2027. Edhe Tesla është detyruar të ridizenjojë dyert e veta.

Por për shumë njerëz, ky ndryshim po vjen shumë vonë. Një tjetër jetë është humbur — jo për shkak të shpejtësisë, por për shkak të teknologjisë që s’funksionoi kur duhej.