Në Gjykatën Themelore në Prishtinë vijon seanca e parë dëgjimore ndaj këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti, fitues i Big Brother VIP Albania 4. Ai u ndalua dy ditë më parë nën dyshimin për veprat penale “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Dëmtim i pasurisë”.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, konfirmoi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur në gjykatë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij. Seanca dëgjimore po mbahet duke filluar nga ora 09:30.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pranë zyrave të studios muzikore Onima në Prishtinë. Ka dyshime se shkak ka qenë një mosmarrëveshje rreth një borxhi paraprak.
Sipas këtyre pretendimeve, këngëtari dyshohet se ka shkuar me armë në dorë në zyrat e studios duke kërkuar një person me inicialet E.Sh. Burimet thonë se ai i është drejtuar stafit me fjalët: “Ku o, se kam me vra”.
Meqenëse nuk e gjeti personin që po kërkonte, dyshohet se në shenjë revolte për mosmarrëveshjen rreth pagesave të borxhit, këngëtari dëmtoi pajisjet e studios, duke thyer kompjuterë, tavolina e xhama, çka solli dëme materiale.
Po sipas këtyre burimeve, kur në vendin e ngjarjes shkuan zyrtarët e Policisë së Kosovës, Gjesti u gjet me armë në dorë, që më pas iu sekuestrua nga Policia e Kosovës.