Ky episod i “Top Tech” me Mateo Kadriun sjell disa tema që do t’ju bëjnë të mendoni se e ardhmja ka mbërritur: nga teknologjia që sjell mamuthët në jetë, te ‘Meta’ që lufton TikTok-un, dhe laptopët që zgjaten si me magji. Kemi gjithashtu AI që krijon video fantastike dhe jo vetëm…
Operator i ri nga OpenAI – AI që punon si sekretar personal, por pa kafetë dhe pushimet!
Imagjino të kesh një sekretar super të zgjuar, që jo vetëm bën punët e tua, por s’bën as gabime dhe nuk kërkon as pushime për kafe. OpenAI sapo prezantoi Operator, një agjent AI që futet në kalendar, klikon, shkruan dhe navigon sikur është një “hacker” që punon për ty. Ky sekretari i ri mund të plotësojë formularë, të rezervojë udhëtime, madje edhe të krijojë meme! Të gjitha pa ankesa dhe në kohë rekord.
Çfarë e bën Operator-in të veçantë? Kombinon super-aftësitë vizuale të GPT-4 me llogjikën e çmendur të kompjuterave që mësojnë nga gabimet. Ai lexon ekranin si ty, klikon si ty, por… është 1000 herë më i shpejtë se ti.
Operator ka disa masa sigurie. Për shembull, nëse tenton të bëjë diçka “dramatike” – si të transferojë gjithë paratë nga llogaria jote – të kërkon leje dy herë. Pra, s’mund ta fajësosh për ndonjë gabim që e ke bërë TI!
Aktualisht, Operator është ekskluziv për përdoruesit Pro në SHBA, por OpenAI thotë se së shpejti do të jetë ndërkombëtar dhe në dispozicion për Plus users. Jepini pak kohë, dhe ndoshta së shpejti do të bëhet partneri yt më i mirë në punë… që s’ka nevojë për rrogë!
Meta sulmon TikTok: Para, opsione të reja dhe verifikime falas!
Meta po përpiqet të tërheqë krijuesit e TikTok dhe po e bën këtë me shumë agresivitet! Krijuesit që kalojnë në Instagram mund të fitojnë deri në $5,000 bonuse dhe, për t’i joshur akoma më shumë, po ofrohet verifikimi falas.
Por Meta nuk ndalon me kaq! Instagram Reels ka shtuar veçori të reja që do ta bëjnë çdo krijues të ndihet si një krijues i vërtetë. Efekte të reja, titra të krijuara automatikisht me ndihmën e AI dhe animacione që ta çojnë kreativitetin tënd në një tjetër nivel. Madje, profilet e përdoruesve kanë ndryshuar format – nga ato grid-et klasike në formë katrori tek një stil më modern 4:5, duke dhënë një pamje më të kuruar dhe profesionale.
Kjo është një strategji e fuqishme që vjen në një kohë perfekte kur TikTok po përballet me pasiguri ligjore në disa vende. Me Reels që evoluon me shpejtësi dhe këto bonuse të majme, Meta po e ngre lojën në një nivel të ri.
Karikimi i pajisjeve? Lëkura jote është prizë e së ardhmes!
Lëkura jote mund të karikojë pajisje shëndetësore. Po është e vërtetë! Studiuesit nga Carnegie Mellon University kanë zhvilluar teknologjinë Power-Over-Skin, e cila përdor trupin e njeriut si ndërmjetës për transmetimin e energjisë elektrike.
Ja si funksionon: energjia elektrike kalon në mënyrë të sigurt përmes sipërfaqes së lëkurës, duke fuqizuar pajisje të vogla si monitoruesit e glukozës apo sensorët mjekësorë. Në testimet fillestare, studiuesit demonstruan që kjo metodë mund të ndriçojë dritat LED duke përdorur trupin si një “kabëll elektrik” të padukshëm.
Përfitimet janë të mëdha: s’ka më bateri të rënda ose karikime të shpeshta dhe pajisjet bëhen më të lehta, më komode dhe më të integruara. Kjo teknologji mund të sjellë një revolucion në mjekësi, duke e bërë monitorimin e shëndetit më të thjeshtë.
Teknologjia është ende në fazat e hershme, por potenciali është i madh. Me Power-Over-Skin, pajisjet shëndetësore mund të funksionojnë në heshtje, duke bërë punën e tyre pa ndërhyrje.
Mamuthë dhe zogj dodo? Colossal Biosciences thotë: “Le t’i rikthejmë sërish!”
Kush ka nevojë për Jurassic Park kur ke Colossal Biosciences? Kjo kompani bioteknologjike po planifikon të rikthejë në jetë mamuthin dhe zogun dodo, duke përdorur teknologjinë më të fundit të ndryshimit gjenetik CRISPR.
Si funksionon? ADN-ja e mamuthit, e marrë nga mbetjet e ngrira, do të kombinohet me elefantin aziatik. Rezultati? Një mamuth që do të shëtisë në tundrat e Arktikut, sikur koha s’ka kaluar kurrë. Mamuthi mund të ndihmojë në rigjenerimin e tundrës dhe të luftojë ndryshimet klimatike duke stabilizuar karbonin e ngrirë.
Dhe zogu dodo? I zhdukur që në shekullin e 17-të, ky zog po “rikrijohet” me ndihmën e ADN-së dhe të afërmit të tij, pëllumbit Nicobar.
Por ja pyetja: a është e drejtë të “luajmë Zot” me natyrën? Për momentin, shkencëtarët thonë që përfitimet janë të mëdha – më shumë biodiversitet dhe ekosisteme të rigjeneruara. Pra, mamuthët dhe dodot mund të bëhen ikonat e ardhshme të rikthimit të natyrës.
TikTok në rrezik? Amerikanët kalojnë në RedNote dhe mësojnë mandarin!
Kur filluan thashethemet për mbylljen e TikTok në SHBA, përdoruesit nuk u trembën – ata thjesht gjetën një shtëpi të re: RedNote, një aplikacion kinez që në vendlindje njihet si “Libri i Vogël i Kuq.” Ky aplikacion i fokusuar në kontent kreativ dhe stilin e jetesës u bë menjëherë një hit, duke kapur majat e shkarkimeve në SHBA.
Por ja ku bëhet interesante: shumë nga videot në RedNote janë në mandarin. Dhe çfarë bënë amerikanët? U hodhën direkt në Duolingo për të mësuar gjuhën! Në fakt, Duolingo raportoi një rritje prej 216% të përdoruesve të rinj në SHBA që po mësojnë mandarin, krahasuar me një vit më parë. Imagjino këtë: je në një aplikacion të ri, dhe për ta përdorur më mirë, po mëson një nga gjuhët më të vështira në botë!
RedNote po bëhet një urë kulturore, ndërsa amerikanët hyjnë në botën kineze përmes videove dhe meme-ve kineze. TikTok ndoshta është në krizë, por përdoruesit e tij janë duke eksploruar një dimension të ri.
Lenovo sjell laptopin që “rritet”: Ekrani që zgjatet vertikalisht!
Lenovo sapo ka prezantuar një laptop të ri që është shumë i çuditshëm: ThinkBook Plus Gen 6. Çfarë e bën kaq të veçantë? Ekrani i tij OLED mund të zgjatet vertikalisht! Po, po, fillon me një ekran standard 14-inç dhe, me një shtypje butoni, shndërrohet në 16.7 inç. Është si të shohësh laptopin tënd të rritet para syve.
Gjithë magjia ndodh përmes motorëve të vegjël në mentesha. Procesi zgjat rreth 10 sekonda, dhe, nëse je në një ambient të qetë, do dëgjosh një zhurmë të vogël.
Specifikat? Një Procesor Intel Core Ultra 7 Series, deri në 32GB RAM, dhe 1TB SSD. Po portat? Vetëm dy Thunderbolt 4 dhe një jack për kufje – minimalist, por mjaftueshëm për ata që duan teknologji të fundit.
Luga Elektrike që bën me kripë ushqimin: E ardhmja është në tryezën tënde!
Dëgjoje mirë ketë: tani mund të hash ushqim pa asnjë pikë kripe, por prapë mund të ndiesh shijen e kripur. Si ka mundësi? Kirin Holdings ka shpikur një lugë elektrike që përdor impulse elektrike për të mashtruar receptorët e shijes në gjuhën tënde.
Si funksionon? Luga ka elektroda të vogla që, kur vijnë në kontakt me gjuhën dhe ushqimin, dërgojnë një rrymë të lehtë elektrike. Rezultati? Ushqimi duket si i kripur, por pa përdorur asnjë gram kripë. Është si të hash diçka me kripë imagjinare, por që ndihmon shëndetin tënd – një revolucion për ata që duhet të kufizojnë natriumin.
Kjo “lugë magjike” u riprezantua në CES 2025, dhe të gjithë që e provuan dolën nga aty duke thënë: “Më sillni një gotë ujë!”
Uber dhe NVIDIA bashkë – Po bëjnë taksitë pa shofer më “smart” se ne!
Uber ka vendosur të bashkojë forcat me NVIDIA për të krijuar makinat më të zgjuara autonome që ke parë ndonjëherë. Kjo dyshe e fuqishme po përdor NVIDIA DGX Cloud dhe platformën Cosmos AI për të zhvilluar sisteme që mund të kuptojnë trafikun, rrugët dhe ndoshta edhe humorin tënd.
Me këtë partneritet, Uber ka një mision: taksitë pa shofer që s’kanë nevojë për pushime kafeje ose të ankohen për trafikun. Dhe me NVIDIA, fuqinë e përpunimit të AI-it e kanë në maksimum – është si të kishin një superkompjuter brenda çdo makine.
Kjo lëvizje i vendos ata në një garë të drejtpërdrejtë me emra të mëdhenj si Waymo dhe Tesla. Dhe ndërkohë që këta po luftojnë për dominimin e rrugëve, Uber dhe NVIDIA po planifikojnë të mbledhin të dhënat e pafundme të udhëtimeve për të mësuar AI-in si të jetë shoferi perfekt.
Trump dhe Microsoft në garë për qendrat e të dhënave: Kush e fiton betejën e teknologjisë?
Donald Trump ka njoftuar për një investim prej 20 miliardë dollarësh për ndërtimin e qendrave të të dhënave në SHBA. Bashkë me miliarderin Hussain Sajwani dhe kompaninë e tij DAMAC Properties, ata planifikojnë të ndërtojnë qendra në Teksas, Arizona dhe Ohio. Pse? Sepse të dhënat janë ari i ri – dhe Trump nuk do që të mbetet pas!
Microsoft ka hedhur çekun e parë me një investim të jashtëzakonshëm prej 80 miliardë dollarësh për të ndërtuar qendra të dhënas gjatë vitit 2025. Gjiganti i teknologjisë po zgjeron fuqinë e tij për të mbështetur inteligjencën artificiale Gemini AI dhe nevojat e reja për shërbime cloud. Me këto para, mund të ndërtojnë një “qytet të të dhënave” – apo ndoshta një planet të ri digjital.
Ndërsa Trump dhe Sajwani synojnë të forcojnë ekonominë amerikane me këto qendra, Microsoft po fokusohet te përmirësimi i AI dhe infrastrukturës teknologjike. Pyetja e madhe është: kush do të ketë qendrën më të madhe dhe më të fuqishme?
Google DeepMind Veo 2
Google DeepMind ka sjellë Veo 2, një model të ri që mund të krijojë video që duken sikur janë prodhuar në një studio profesionale. Veo 2 është kaq i zgjuar sa mund të gjenerojë video në 4K, me lëvizje realistike dhe me detaje që të lënë pa fjalë. Çfarë e bën të veçantë? Përveç se mund të ndjekë udhëzimet e tua me saktësi, Veo 2 është i aftë të simulojë fizikën reale dhe të interpretojë një gamë të gjerë stilesh vizuale. Është si të kesh një ekip filmik të tërë, por me një klikim.
E bukura është se Veo 2 eliminon ato gabimet qesharake që ke parë në video të tjera të krijuara nga AI. Jo më duar të çuditshme apo lëvizje të pazakonta – tani çdo gjë duket perfekte.
Smart Home: Pse shtëpia jote meriton të jetë më e zgjuar se ti!
Imagjino që vjen në shtëpi dhe dritat ndizen vetë, temperatura e ambientit është perfekte, dhe kafeja po përgatitet automatikisht. Smart Home është realiteti ku shtëpia jote mendon për ty – më mirë se sa e bën ti ndonjëherë!
Dritat smart? Ndizen, fiken dhe ndryshojnë ngjyrë me një komandë zëri. Prizat smart? Monitorojnë energjinë dhe të kursejnë lekë pa asnjë përpjekje. Çelësat smart? Kontrollojnë çdo pajisje, nga dritat deri te televizori, sikur të ishin në një orkestër të koordinuar. Dhe po, të gjitha këto mund t’i menaxhosh nga divani, madje edhe nga një shtet tjetër.
Po Shqipëria? Ndoshta jemi ende në një fazë ku njerëzit pyesin: “Ça ka këtu të zgjuar, s’i ndez dot dritat vetë me dorë?” Problemi është që kjo lloj teknologjie është ende pak e shtrenjtë dhe shumë njerëz mendojnë se është luks. Por e vërteta është: një Smart Home kursen kohë, para dhe energji.