Pesë persona kanë humbur jetën brenda pak orësh në këtë ditë të marte 28 tetori!
Një person u vra me me thikë pasditen e sotme në Tiranë, në zonën e Komunës së Parisit.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal, pas një konflikti mes picierit Filip Shehu, 41 vjeç, dhe kuzhinierit Indrit Ismaillari, 34 vjeç, i cili ka ndërruar jetë për shkak plagëve të marra nga goditjet me thikë.
Autori i vrasjes është arrestuar nga blutë, ndërsa mësohet se mes tij dhe viktimës ka patur konflikte prej kohësh.
…
Një konflikt mes dy personave në Berat, ka degraduar në përdorimin e thikave duke shënuar kështu dhe një viktimë.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 15:10 në lagjen e Kalasë. Të përfshirët në sherr janë 63-vjeçari Kristo Mema, i cili ka goditur me thikë 42-vjeçarin Keli Hoxha, pas një konflikti për motive të dobëta.
Viktima, Keli Hoxha ishte vizitor, i cili kishte shkuar në qytetin e Beratit për të vizituar kalanë. Të njëjtat burime raportojnë se debati ka nisur për një kalë, me të cilin autori shëtiste turistët nëpër kala.
…
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Durrës, me pasojë një viktimë.
Raportohet se një person ka vrarë me thikë babanë e tij. Nga informacionet paraprake dyshohet se djali vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Shkallnurit.
…
Policia vuri në pranga shoferin e mjetit që rreth mesnate përplasi për vdekje 17 vjeçarin në Vlorë. Sipas bluve, 32 vjeçari ishte në gjendje të dehur dhe mbi të rëndojnë dy vepra penale: “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjyshi i 17 vjeçarit tha sot se nipi i tij po kthehej nga puna dhe hodhi akuza se makina që e aksidentoi po ecte me 200 km/orë. Më herët, familjarët u revoltuan me vonesat në dorëzimin e trupit të pajetë. Pranë Morgut të Vlorës iu desh të prisnin me orë të tëra pas aksidentit.
…
Amerikani Brendon Saporito, i cili vrau me thikë partneren Sandra Saporito, 54 vjeçe në Shkodër disa muaj më parë, është vetëvrarë sot në ambientet e IEVP Shkodër.
I paraburgosuri Brendon Saporito është gjetur i varur në dhomën e tij nga bashkëvuajtësit. Punonjësit e institucionit e kanë nxjerrë me shenja jete drejt urgjencës, ku stafi mjekësor i ka dhënë ndihmën e parë.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga Spitali i Koplikut dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, i paraburgosuri nuk ka arritur të mbijetojë.