Pas një dite të lodhshme pune, shumë njerëz zgjedhin zgjidhjen më të shpejtë: ringrohin ushqimin e mbetur nga dita e mëparshme. Megjithatë, ekspertët e sigurisë ushqimore paralajmërojnë se ky zakon mund të jetë i rrezikshëm, sidomos kur bëhet fjalë për disa ushqime të caktuara që nuk duhen konsumuar pa kujdes.
Një nga ushqimet më problematike është orizi i gatuar. Edhe pse duket i padëmshëm, ai mund të mbajë baktere të rrezikshme edhe pas zierjes.
Benjamin Chapman, ekspert i sigurisë ushqimore në Universitetin e Karolinës së Veriut, shpjegon se mikroorganizmat shumohen shumë shpejt në orizin e lënë në temperaturë ambienti. Madje, edhe pas ringrohjes, nuk ka gjithmonë garanci që bakteret janë eliminuar plotësisht, duke rritur ndjeshëm rrezikun e helmimit ushqimor.
Për të shmangur këto probleme, Chapman këshillon që orizi i gatuar të futet sa më shpejt në frigorifer dhe të ringrohet vetëm një herë, duke u siguruar që gjatë ngrohjes të arrijë temperaturën e nevojshme. Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu që ushqimet e gatuara, veçanërisht ato me niseshte si orizi dhe patatet, të mos ruhen për më shumë se një ditë, pasi favorizojnë zhvillimin e baktereve si Bacillus cereus, të cilat mund të shkaktojnë të vjella dhe diarre.
Në vend që të rrezikoni shëndetin tuaj, është më e sigurt të përgatisni një vakt të freskët ose të siguroheni që ushqimi i mbetur është ruajtur dhe ngrohur në mënyrën e duhur.
Kujdesi ndaj higjienës ushqimore mbetet thelbësor për të shmangur helmimet që mund të ndodhin papritur, edhe nga ushqime që duken plotësisht të sigurta.