Edlira Çepani ka komentuar për herë të parë për përfoljen e emrit të saj si një nga kandidatet e mundshme për bashkinë e Tiranës nga opozita. E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ajo e ka cilësuar këtë si një surprizë të bukur dhe të papritur.
Nuk e kisha konsideruar më parë. Kam disa vite që merrem me politikë, duke punuar me vajza dhe gra nga forcat politike, por vetë nuk e kisha menduar. Ishte një surprizë e bukur dhe e vlerësova që më propozuan. Kam përshtypjen se kjo ishte një shtysë nga njerëzit që mbështesin emrin tim
-tha Çepani.
Ajo shtoi se nëse kërkohet nga njerëzit dhe mbështetësit, do të respektojë dëshirën e tyre dhe mund të marrë një vendim për të kandiduar.
Gjithashtu, kandidatura e saj shihet si një vazhdim i vizionit të bashkëshortit të saj, Gert Bogdani, i cili u nda parakohe nga jeta.
E pashë këtë edhe si një realizim të vizionit të Gertit për bashkinë e Tiranës. I kam dhënë një premtim kur jeta na ndau në mënyrë të padrejtë, që do ta vazhdoj misionin e tij. Ai do të më kishte mbështetur nëse do të kandidoja
-përfundoi Çepani.
Deklaratat e saj kanë ngjallur reagime në media dhe rrjetet sociale, duke rihapur diskutimin mbi përfaqësimin e grave në politikë dhe kandidaturat e mundshme për bashkinë e kryeqytetit.