Bota

Ekrem Imamoglu shpallet qytetar nderi i Parisit: Simbol i vlerave demokratike!

Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, është shpallur qytetar nderi i qytetit të Parisit pas propozimit të kryebashkiakut të kryeqytetit francez, Anne Hidalgo.

Vendimi përkatës u miratua unanimisht nga Këshilli i Qytetit të Parisit dhe synon të shprehë solidaritetin e kryeqytetit francez me Imamoglun, të cilin Hidalgo e përshkroi si “të penguar padrejtësisht nga përfaqësimi i partisë së tij” dhe “të privuar nga të drejtat e tij themelore”.

Ai theksoi gjithashtu se Parisi, si “kryeqyteti i të drejtave të njeriut”, duhet të mbështesë një njeri që mishëron vlerat demokratike.

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu me një postim në rrjetet sociale ka dërguar një mesazh mbështetjeje për protestuesit dhe besim në fitoren e popullit kundër padrejtësisë.

 “Kombi im i dashur, mos e humb kurrë shpresën. Një grusht njerëzish që nuk kanë ndjenjën e drejtësisë dhe ligjit do të humbasin, kombi do të fitojë. Miliona njerëz mbrojtën vullnetin e tyre . Faleminderit Stamboll”, shkroi ai.

Mesazhi i Imamoglu, me ngjyrimet e tij të dukshme politike, vjen në një moment veçanërisht kritik, ndërsa reagimet për burgosjen e tij përshkallëzohen në rrugët e metropolit turk.