Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio specialistja e trajnimit të qenve, Kornelia Kokona për të na folur rreth koleksionit më të fundit të Guccit teksa ka përdorur kafshët e egra si aksesorë duke i nxjerrë jashtë natyrës së tyre. Kjo situatë ka gjeneruar protesta sepse nuk është pritur aspak mirë nga njerëzit. Si e gjykon Kornelia këtë si një profesioniste e fushës? Zbuloni më shumë duke klikuar në këtë link.
Ndërkaq, çfarë do të thotë të jesh një trajnuese qensh duke qenë se Kornelia është bashkëthemeluese e organizatës “Dog Coaching Center”?
Të zgjohesh më dëshirën dhe vullnetin për të trajnuar edhe qenin edhe familjarët që të kenë një marrëdhënie të shkëlqyer bashkë.
Si ka lindur e gjithë gjëja për Kornelian?
Ka nisur qëkur isha e vogël. Gjithë jeta ime ka qenë e rrethuar me kafshë. Që në kopësht kam patur kuriozitet për qenushin që na rrinte aty te dera. Të gjitha gjërat që ne bëjmë sot për të trajnuar qentë i kam ditur që e vogël.
Si ka qenë komunikimi i parë me një qen për Kornelian, praktikisht zbutja e tij?
Ka qenë qeni im i parë, Ziko që sot është 12-vjec. Ishte qen i tmerrshëm, që mbahej për roje makinash, i egër, kafshonte njerëzit, lehte, turrej. Nuk e donin më në lagje dhe unë në atë kohë isha pa nisur universitetin. E ushqeja dhe më njihte si një njeri që nuk duhej ta kafshonte. Kujdesesha, më linte ta prekja. Një ditë Ziko u helmua me dashakeqësi nga ata që nuk e donin dhe që atë ditë unë bisedova me prindërit sepse nuk doja ta lija më në rrugë, do t’i gjeja një familje por e mbajta vet. Ishte qen i vështirë për një person që ishte pa eksperiencë. Me Zikon kam punuar 2 vite rresht që të bëhet qeni që është sot, që e prekin fëmijët. Qentë nuk lindin të tillë, ai u bë nga rrethanat. Këmbëngulja ime e ndryshoi, ishte një punë shumë e madhe dhe e lodhshme por e dija që në fund do të bëhej ky qen.
Kur familjet vijnë tek “Dog Coaching Center” cilat janë problematikat e qenve?
Një problem madhor te qentë është ankthi i ndarjes që nga fillimi i pandemisë e në vazhdim. Është një problem i madh sepse qeni është i tmerruar kur qëndron vetëm, mund të shkatërrojë shtëpinë si pasojë e ankthit. Të gjithë këto shkaktojnë probleme të tjera të vështira për tu rehabilituar. Në fillojmë që nga zero, të kuptojmë pse ka ndodhur ky ankth, çfarë problemi ka pasur. I testojmë sjelljet për të gjetur një strategji se si ta mësojmë qenin.
Si edukohen qentë tek organizata e Kornelias?
Çdo qen ka karakter ndryshe dhe për mosha të ndrshme ka përqasje të ndryshme. Për një këlysh që është ndarë nga nëna trajmi duhet të jetë pozitiv, me rregulla dhe kufij, të përdoret litari, t’i mësohet gjuha e trupit. Për qentë që janë të rritur me një histori të dhimbshme, me probleme familjare përdoren teknika si më pak ushqim, sepse janë të frikësuar dhe nuk e kërkojnë atë. Duan më shumë kohë për afrimitet, duhet bërë çdo gjë hap pas hapi.